Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhavit Drenori jep sqarime rreth sulmit fizik ndaj tij

Kandidati për kryetar të Drenasit nga iniciativa “GREEN për Drenas”, Xhavit Drenori, ka treguar detaje rreth incidentit ku pretendohet se ai u sulmua fizikisht sot.

Drenori tha se sot është sulmuar fizikisht afër zyrës së tij në Drenas nga një person që nuk e njihte por që, sipas tij, është prezantuar si djali i prokurorit Ibrahim Berisha.

Arsyeja që i dyshuari e kishte ndaluar, sipas Drenorit, ishte se ai i kishte përmendur emrin e prindit të tij në debate televizive.

Sipas Drenorit, e gjithë ngjarja është regjistruar nga tri kamera të objekteve të ndryshme.

KALLXO.com raportoi sot gjatë ditës për sulmin ndaj Drenorit.

Ky është reagimi i tij i plotë në Facebook:

Të nderuar qytetarë të komunës së Drenasit dhe më gjërë,

së pari ju kërkoj ndjesë që kaq vonë po sqarohem për një çështje kaq të ndjeshme, që në media është plasuar pak pas pasdites.

Po, unë sot afër zyres sime në Drenas, jam sulmuar fizikisht nga një person të cilin nuk e kam njohur dhe i cili më është paraqitur si djali i Prokurorit Ibrahim Berisha.

Arsyeja që ky person më ndaloj, pra më kishte dal në pritë, ishte se unë e kam përmend emrin e prindit të tij në debate televizive.

E mira e gjithë kësaj situate është se është xhiruar nga tri kamera të tri objekteve të ndryshme, prandaj shpresoj që e gjithë kjo situatë diku rreth 5 minutshe do të dal në publik.

Përndryshe për një sulm të tillë isha i paralajmëruar para disa ditësh përmes telefonit ku prokurori në fjalë kishte shkuar edhe fizikisht tek një familjar i imi për t’i kërkuar që mos ta përmend në debate televizive për shkak se ishte pak para pensionimit, në të kundërten djemtë nuk do të rrinin duarkryq.

Pra miqë të nderuar, sot u binda edhe më shumë se për etablim të demokracisë në Drenas kemi shumë punë përpara.

Unë nuk do të ndalem, edhe këtë sulm e marrë si një nga shumë sfidat / “dekoratat” në rrugën e gjatë të shpresës për Drenasin.