Drejtori i Kolegjit “Gjilani” Pranoi Regjistrimet Pa Licencë

Në gjykimin e bashkëpronarëve të kolegjit “Gjilani”, të akuzuarit paraqitën mbrojtjen e tyre.

Ka përfunduar shqyrtimi i sotëm gjyqësor ndaj Musa Shkodrës dhe Xhevat Sadikut të cilët dhanë mbrojtën e tyre, përkatëzi me aktakuzën e ngritur ndaj tyre.

Avokati Ymer Huruglica i cili mbron të akuzuarin Musa Shkodra pyeti të mbrojturin e tij se kur keni filluar të regjistroni studentë në kolegjin “Gjilani”, a keni pasur licencë përkatëse nga Ministria e Arsimit.

Shkodra tha se në atë kohë kolegji “Gjilani nuk ka pasur licencë, por ka bërë kërkesë për regjistrimin e programeve dhe për listën e mësimdhënësve e po ashtu  edhe kërkesë për pranimin e objektit universitar.

Shkodra tha se në atë kohë institucionet e arsimit të lartë mund të aplikonin vetëm për licencë e jo edhe për akreditim, pasi akreditimi nuk ishte pjesë e arsimit të lartë.

Avokati Huruglica pyeti klientin e tij se në atë kohë kur keni bërë kërkesën për licencim cila ka qenë përgjigjja e Ministrisë së Arsimit.

“Fillimisht na kanë refuzuar të gjitha programet, ndërsa ne jemi ankuar për këtë vendim dhe pastaj na kanë dhënë licencim për të gjitha programet tjera, përveç për programin Edukim parafillor dhe fillor, por ne kemi insistuar përsëri që të kontaktojmë me ministrinë përkatëse, e cila na ka dhënë shenja pozitive që do të marrim përgjigje pozitive dhe që studentët e regjistruar në këtë drejtim nuk do të kenë probleme,” dekaroi Shkodra.

Pastaj prokurori Arben Kadriu e pyeti të akuzuarin Shkodra se në kohën kur janë bërë regjistrimet e studentëve në programin e edukimit, a janë njoftuar ata se ky program nuk është licencuar.

“Paraprakisht nuk i kemi njoftuar në fillim, por ata i kemi njoftuar pas vendimit për moslicensim,” tha i akuzuari Shkodra.

Mbrojtjen e tij sot e dha edhe Xhevat Sadiku që duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij Shemsedin Pira tregoi se shumë studentë që kanë diplomën e këtij kolegji kanë gjetur vende pune.

”Jam shumë i sigurt që mbi 80% të tyre punojnë sot dhe nuk kanë asnjë problem dhe ka të tillë që janë shumë të suksesshëm,” tha Sadiku.

Musa Shkodra dhe Xhevat Sadiku akuzohen nga Prokuroria Themelore në Gjilan se gjatë periudhës 2006/2007 e tutje në cilësi të personave zyrtarë, bashkëpronarë të Kolegjit Gjilani, në bashkëveprim kanë bërë shpërdorim të detyrës zyrtare, ashtu që pa pasur akreditim për programin mësimor fillor dhe parafillor me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë regjistruar 112 studentë dhe në mënyrë të kundërligjshme në emër të pagesave kanë marrë 283.000 euro.

Seanca e radhës ku pritet të jepet fjala përfundimtare është caktuar më 28 dhjetor.