Dogana Shkurton Procedurat e Eksportit

Dogana e Kosovës ka inauguruar sot sistemin e ri, i cili mundëson procedura të shkurtuara të eksportit.

Në ceremoninë e përurimin të fillimit të punës të sistemit të ri përveç shefit të Doganës, Lulzim Rafuna, të pranishëm ishin edhe kryeministri Isa Mustafa, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Kryeministri Mustafa aktivizoi këtë sistem të ri, duke bërë dërgimin e parë të eksportit, dërgesë që kaloi në pikën doganore të Vërmicës, në kufi me Shqipërinë.

Me këtë rast, i pari i Qeverisë shprehu kënaqësinë që po merrte pjesë në inaugurimin e një qendre të rëndësishme, e cila, sipas tij, do të thjeshtëzojë procedurat e doganimit dhe do të rrisë efiçiencën dhe do të ulë shpenzimet edhe të kohës edhe të parave që i kanë pasur bizneset tona lidhur me këtë.

Kryeministri Isa Mustafa përgëzoi Doganën e Kosovës dhe Ministrinë e Financave për organizimin e mirë dhe për përformancën e vitit të kaluar dhe të këtij viti, sepse, sipas tij, ka pasur rritje të të hyrave në kufi mbi parashikimet.

Ndërsa, Lulzim Rafuna lidhur me sistemin e ri tha ai është në favor të prodhuesve kosovarë.

“Një procedurë e cila ndikon në uljen e kostos së shpenzimeve për prodhuesit tanë që të eksportojnë sa më lehtë mallra, redukton kohën e pritjes, redukton shpenzimet e përgatitjes së dokumenteve dhe shpenzimeve tjera administrative”, theksoi Rafuna, i cili shtoi se sistemi i ri eliminon diskrecionin e oficerit doganor dhe e gjithë kjo bënë pjesë në planin e Qeverisë së Kosovës për të stimuluar sa më shumë prodhuesit që të kemi zhvillim sa më të madh ekonomik.