DNK: Anëtari i Sigurimit të ANP-së i Dënuar

Hulumtimi disajavor faktoi se si Hilmi Lushtaku,  pjesëtari i stafit të sigurisë në Aeroportin e Prishtinës kishte qenë pesë muaj i burgosur pasi ishte dënuar nga gjykata për veprën penale lëndim i lehtë trupor. Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Lushtaku pas lirimit nga burgu ishte kthyer pa asnjë problem në punë në aeroport.

Për Adem Gashin nga ANP-ja, fakti që Lushtaku ka pasur probleme me ligjin dhe ka vuajtur edhe dënim me burgim, nuk paraqet ndonjë problem për mbarëvajtjen e sigurisë në këtë Aeroport. Sipas tij Lushtakut i është ndërruar vendi i punës dhe tani ai më nuk ka qasje në zonën sterile, apo në zonën e kuqe të sigurisë.

“Ilmi Lushtaku punon në shërbimin e sigurimit, mirëpo meqenëse në ndërkohë ka ndryshuar gjendja e tij, ka patur një konflikt. Nuk është që ai ka një të kaluar kriminale që ndikon drejtpërsëdrejti në sigurinë e aeroportit. Me sa ne kemi informata ai ka qenë një konflikt fqinjësor edhe ai në bazë të ligjit ka konsumuar veprën penale, prandaj rasti me sa e di unë është kryer edhe është në shlyerje e sipër të kësaj vepre, kështu që në ndërkohë ne kemi ndërmarrë masat edhe kolegu Lushtaku punon si oficer në administratën e shërbimit të sigurimit dhe jo në ndonjë funksion tjetër,” tha Gashi, ndërsa transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Por siç treguan të gjeturat e emisionit, Lushtaku përkundër faktit se ka patur problem me ligjin ai vazhdon të jetë pjesë e administratës së sigurimit, apo më saktësisht merret me orarin e rojave në aeroport.

“Jo vetëm në pozitën e sigurimit , por çdo person që punon në zonën sterile nuk mund të kryejë funksione pasi të kalojë pikën e skanimit nëse nuk sjell dëshminë për të kaluarën e tij kriminale nga policia,” ka deklaruar Gashi.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Hilmi Lushtaku ka qenë në burg që nga 29 tetori i viti 2012 e deri më 12 shkurt 2013. Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët mbajnë përgjegjësinë për mbikëqyrjen e sigurisë në aeroport, siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, pasi kanë kuptuar për dënimin e Lushtakut kanë marrë masa dhe ia kanë ndaluar që ai të futet në zonën e sigurisë.

Kastriot Gashi nga Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se deri më tani nuk ka ndodhur që ndonjë punonjës i aeroportit të ketë ndonjë dyshim, ose ndonjë informatë që mund ta rrezikojë sigurinë e aeroportit.

“Kur ne i certifikojmë punëtorët e sigurimit  të aeroportit i certifikojmë për secilën pikë se ku do të shërbejnë. Varësisht se çfarë pune, apo përgjegjësie do të  kryejë ai, për atë punë ai certifikohet dhe trajnohet. Nuk mundet me pas lëvizje të mëdha të punëtorëve nga ana e menaxhmenit të aeroportit përderisa ne e certifikojmë një punëtor po supozojmë në zonë sterile, apo pjesë të caktuara. Dhe ai duhet ta kryejë punën për të cilën është i certifikuar,” ka deklaruar Kastriot Gashi në “Drejtësia në Kosovë”.

Sipas zyrtarit të MPB-së, Hilmi Lushtakut i është ndaluar qasja në zonën e sigurisë në aeroport, por siç  tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, Lushtaku vazhdon të jetë i lidhur me punët e sigurisë në këtë institucion, pasi që ai punon në administratën e sigurimit, saktësisht merret me orarin e rojave.

“Unë nuk jam në dijeni se ai ka qenë në burg apo diçka të tillë, ai e ka pranuar vetë se ka konsumuar veprën e tillë penale dhe nëse brenda një periudhe të ardhshme gjashtëmujore nëse ai nuk sjell dokumentet që s`ka probleme me ligjin ai nuk mund të ushtrojë asnjë funksion, e as të ketë qasje në zonën e sigurisë,” ka thënë Adem Gashi nga ANP.

SIç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, Aeroporti i Prishtinës vlerësohet të jetë ndër aeroportet e sigurta dhe pa probleme të sigurisë. Megjithatë në të kaluarën, testet e kryera nga Ministria e Punëve të Brendshme kishin nxjerrë disa të meta të cilat sot thuhet të jenë eliminuar.

“Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht mbikëqyr testet e sigurisë në aeroport dhe vazhdimisht kryen teste infiltruese, në bazë të të cilave nxjerr rekomandime, ose e bën vlerësimin e sigurisë në aeroport. Deri më tani nuk kemi informata që siguria mund të jetë e cenuar nga ndonjë ndërhyrje e paligjshme,” ka deklaruar Kastriot Gashi nga MPB.

Hilmi Lushtaku, siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, nuk ka pranuar të flasë para kamerave, por ai sipas të gjeturave të emisionit dënimin e kishte vuajtur për shkak të një problemi që kishte pasur me një bandë, të cilët sipas tij ia kishin rrahur e keqtrajtuar djalin e tij gjatë kohës kur ai shkonte në shkollë.

Hulumtimi i emisionit më tej tregoi edhe për masat që janë ndërmarrë për të garantuar sigurinë në aeroport pas sulmeve të fundit terroriste në Belgjikë.

Zyrtarë të aeroportit, e ata të MPB-së siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, kanë deklaruar se siguria në aeroport është në nivel të kënaqshëm.

Të njëjtit zyrtarë nuk e bënë shumë problem që njëri nga zyrtarët e administratës së sigurimit ka vuajtur burg për vepër penale. Problem nuk po shihet as fakti se në testin e fundit për zyrtarët e sigurimit të cilin e ka zhvilluar Ministria e Punëve të Brendshme disa zyrtarë të sigurimit nuk kanë arritur rezultate të pritshme.