ARKIV - Foto: Kallxo.com

Dështon seanca ndaj akuzuarve për kontrabandë me naftë nga Serbia

Seanca kundër të akuzuarve për krim të organizuar dhe vepra tjera penale e paraparë të mbahej sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës nuk u mbajt.

Kjo seancë u shty me kërkesën e prokurorit Naim Abazi. Në seancë ishin të pranishëm të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Halili ka njoftuar palët prezente se prokurori i mëparshëm në këtë rast, Abdurrahim Islami kishte dalë në pension, ndërsa kjo lëndë iu është bartur një prokurori të ri.

Prokurori Naim Abazi, kishte parashtruar kërkesë për shtyrjen e seancës me arsyetimin se do të përgatitet më shumë pasi që kjo lëndë është mjaft voluminoze.

Ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave që gjendet në gjykatën e Mitrovicës.

Ndryshe Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin se së bashku me të pandehurin Milan Radisavleviq dhe Aleksandër Rakiçeviq se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara si derivate të naftës, vajra motorike etj..

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor – dhjetor 2014 të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Poashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale: Kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar dyshohet se kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.