Deputetët Opozitarë ‘Ruajnë’ Kufirin

Disa deputetë opozitarë dhe banorë të Rugovës janë nisur për të vizituar vendet kufitare me Malin e Zi.

Thirrjen për këtë udhëtim e kishin bërë këta banorë bashkë me përfaqësuesin e Pejës në Komisionin për Demarkacion Ali Lajçin.

Deputetët dhe banorët së pari janë takuar në fshatin Kuqishtë, për t’u nisur më pas drejt fshatrave dhe pikave tjera të brezit kufitar, përkatësisht në Stankaj dhe Haxhaj.

Nga atje, rugovasit u bënë me dije deputetëve se Kosova po humb shumë tokë në demarkacion me Malin e Zi. Ali Lajçi përfaqësues i banorëve të Rugovës ju shpjegoj deputetëve prezent gjendjen faktike së sa territor humb shtetit i Kosovës.

“Shikoni tash, krejt kjo hapësirë këtu është e humbur sipas projektit të qeverisë. Ka ra edhe kjo pjesë dhe kufiri ka ra ndër ju”, tha Lajçi.

Ai kërkoi nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që mos ta ratifikojnë ketë marrëveshje të kufirit me Malin e Zi sepse do ketë pasoja në të ardhmen.

Edhe pse “Vetëvendosje” ka ndërprerë kundërshtimin e përbashkët të marrëveshjeve për asociacionin e demarkacionin me AAK-në e Nismën, thirrja e banorëve të Rugovës për të vizituar viset kufitare, i ka renditur përsëri në një anë tri partitë opozitare.

Përfaqësuesit e tyre u zotuan së nuk do lejojnë që kjo marrëveshje të ratifikohet dhe Kosova të humb territor, sipas tyre.

Pal Lekaj nga AAK-ja u bëri thirrje deputetëve të pozitës që të votojnë kundër demarkacionit me Malin e Zi.

“Deputetët e parlamentit të Kosovës duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm  dhe mos të pranojnë asnjë presion nga kushdo që vjen”, tha Lekaj.

Shefja e Grupit parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami, tha së është trup për deputetë e pozitës që asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur ftesës së banorëve të Rugovës.

Kurse, Glauk Konjufca nga LVV-ja tha se Qeveria nuk po falë vetëm tokën por edhe popullin e saj me demarkacionin me Malin e Zi.

“Nëse donë me falë ketë territor ku ndodhemi ne, bashkë me popullin ku jeton këtu. Pra po e jep edhe popullin edhe tokën, atëherë do t’i ketë punët shumë keq” tha Konjufca.

I vetmi nga pozita ishte Sali Lajçi, Drejtor i Urbanizmit nga radhet e PDK-së në Pejë. Ai kritikoi deputetët e koalicionit qeveritar që nuk iu bashkuan thirrjes së banorëve të Rugovës.

“Unë jam veçanërisht mirënjohës për deputetet e opozitës dhe ata të pozitës që kanë ngritur zërin deri me tani dhe që kanë kontestuar punën e komisionit, prandaj ju që jeni këtu dhe ata që kanë pas ftesën që s’ka ardhur, s’kanë bërë mirë që s’kanë ardhur, mos ta votojnë ketë punë të komisionit”, u shpreh ai.