6 shtetasit turq të deportuar nga Kosova për në Turqi

Deportimi i shtetasve turq, nesër mbledhja e Komisionit hetimor

Nesër duke filluar nga ora 9:00 do të mbahet mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar për dëbimin nga Kosova të gjashtë shtetasve turq.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe anëtari i Komisionit, Xhelal Sveçla.

Mbledhja e njëjtë ishte paraparë të mbahet të premten e kaluar, ku ishte diskutuar edhe çështja se a do të duhej i njëjti Komision të ishte i hapur apo i mbyllur për media.

Anëtarët nga pozita kërkuan që Komisioni të ishte i mbyllur për media, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe mosdëmtimit të procesit hetimor, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje reagoi duke thënë se i njëjti Komision do të duhej të ishte i hapur për media.

Komisioni hetimor u formua pas kërkesës së deputetëve në Kuvend për shkak të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Komisioni hetimor do të fillojë me intervistimin e zyrtarëve policorë në lidhje me dëbimin e “gylenistëve”.

KALLXO.com kishte raportuar më 29 mars të këtij viti se gjashtë persona turq ishin arrestuar dhe ishin deportuar për në Turqi pas kërkesës së presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili shtetasit turq të cilët kishin leje qëndrimi në Kosovë i kishte cilësuar si krah të djathtë të Gulenit dhe se të njëjtit kishin marrë pjesë në tentim puçin në Turqi.

Komisioni hetimor për deportimin e shtetasve turq ishte themeluar në maj të këtij viti.

Pjesë e Komisionit hetimor për dëbimin e gjashtë shtetasve turq janë, Ganimete Musliu nga PDK, Xhelal Sveçla nga Vetëvendosje, Muharrem Nitaj nga AAK, Hajdar Beqaj nga PDK, Sami Kurteshi nga Vetëvendosje dhe Driton Selmanaj nga LDK.

Deportimi i shtetasve turq kishte ngjallur reagime të ndryshme në Kosovë.

Në një letër drejtuar presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, deputetë të Parlamentit Europian kanë kritikuar deportimin e shtetasve turq.

https://kallxo.com/eurodeputetet-kritikojne-deportimin-e-gulenisteve-nga-kosova/

www.kallxo.com