Komision Hetimor, përplasje pozitë – opozitë për dokumentacionet e MPJD-së

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, po shqyrton çështjet e përcaktimit të listës se dokumentacionit që do kërkohet nga MPJD.

Deputetët po diskutojnë për dy lista të dokumentacioneve që do të kërkohen nga kjo ministri. Njëra listë është propozuar nga deputetët opozitar dhe lista tjetër nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lista e dokumentacioneve dhe data e hulumtimit ka shkaktuar përplasje në mbledhjen e sotme të Komisionit.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi tha se ajo ka kërkuar dokumentacione që i përkasin periudhës 2021 – 2023.

“Me kërkesën që e kam bë unë, me datat e sakta. Unë kërkoj që të behet hulumtim në bazë të vendimit të Kryesisë. Problemi qëndron që janë shkarku të gjithë në grup në udhëheqjen e Donika Gërvallës. Nuk ka mundësi me u kërku një vendim i datës 2016”- tha ajo.

Deputeti i LVV-së, Gazmend Gjyshinca tha se mbledhjen e kaluar deputetët u pajtuan që të miratohen propozimet e të gjitha palëve.

“Lista e dokumenteve që e kemi dërgu nuk po pranohet. Unë kam informacione se për vendimin qe e përmendet interferon me periudhën e këtij komisioni. Në njërën anë po thoni se ne po e bllokojmë komisionin e nuk po e pranoni listën tonë. Ky komision nuk po bllokohet nga LVV por nga opozita. Nuk po e respektoni marrëveshjen qe e kemi arrite mbledhjen e kaluar”- u shpreh ai.

Ndërsa kryesuesja e komisionit, Time Kadrijaj nga AAK tha se lista e dokumentacioneve mund të shtohet gjatë intervistimit të kandidatëve.

“Nëse gjate intervistimit të kandidatëve lind nevoja për shtim të dokumentacionit ne do ta votojmë, unë vet do ta votoj. Nuk besoj se asnjë anëtar i opozitës nuk do hezitoj. Jemi të limituar sepse në Kuvend është miratuar periudha se kur do të kërkohen dokumentet”- ka deklaruar ajo.

Lidhur me ketë çështje, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka kritikuar deputetët për gjuhen e përdorur në këtë mbledhje.

Ndërsa ka thënë se deputetët duhet të koordinohen në mënyrë që të mos ketë dështim të komisioneve.

Musliu-Shoshi kishte kërkuar që të themelohet ky komision që t’i hetojë të gjitha degradimet që janë bërë në MPJD, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera. Ndër tjera, ajo kërkoi procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, qasja në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë, vendimet për emërimet zyrtarëve nga jashtë, qasje në pagat e diplomatëve, dosjen e Behar Ismës që ka qenë sekretar në MPJD, qasje në shpenzimet e kabinetit të ministres Gërvalla.

Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, kishte miratuar më 19.05.2021, propozimin e Qeverisë së Kosovës, për lirim nga detyra të 12 ambasadorëve të emëruar politikë nëpër vende të ndryshme.

Ambasadorët e shkarkuar kanë shërbyer në: Gjermani, Shqipëri, Çeki, Holandë, Hungari, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, Australi, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe në Katar.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz atëkohë kishte thënë se “ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës”.

Deputetët e opozitës dhe pushtetit përplasen rreth hetimeve për stafin diplomatik