Komisioni hetimor i Kuvendit miraton listën e dokumenteve që do t'i kërkohen Ministrisë së Jashtme
Me gjithë përplasjet verbale të shkaktuara mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, Komisioni hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka arritur ta miratojë listën e dokumentacioneve që do të kërkohen nga MPJD-ja.
Komisioni në fakt ka miratuar propozimet e pozitës dhe të opozitës në një listë të përbashkët.
Kryetarja e Komisionit, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka hedhur në votim të dy listat së bashku.
“Unë kisha dashtë me i hedhë në votim dhe me përfshi të dy listat. Kush është pro që me i bo dy listat bashkë? Kisha kërku që në mbledhjen e radhës të kërkojmë angazhimin e ekspertëve që do të na ndihmojnë në hartimin e raportit përfundimtar. Kisha kërku që edhe këtu me pasë një konsensus”- u shpreh ajo.
Kadrijaj ka njoftuar se mbledhja e radhës do të mbahet të martën e javës së ardhshme kur do të diskutohet për angazhimin e ekspertëve.
Komisioni hetimor është themeluar me propozimin e deputetes nga PDK-ja, Ariana Musliu- Shoshi, propozim ky i mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të kësaj partie.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, kishte miratuar më 19.05.2021, propozimin e Qeverisë së Kosovës, për lirim nga detyra të 12 ambasadorëve të emëruar politikë nëpër vende të ndryshme.
Ambasadorët e shkarkuar kanë shërbyer në: Gjermani, Shqipëri, Çeki, Holandë, Hungari, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, Australi, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe në Katar.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz atëkohë kishte thënë se “ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës”.
Deputetët e opozitës dhe pushtetit përplasen rreth hetimeve për stafin diplomatik