Ish-anëtarët e Bordit të ZRRE-së intervistohen në Komisionin hetimor për vendimarrjen në sektorin e energjisë

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike i ka intervistuar katër ish-anëtarët e Bordit të ZRRE-së për periudhën 2008-2013.

Kryetari i Komisionit Hajdar Beqa, ka shprehur interesim rreth humbjeve që janë bërë në veriun e vendit gjatë kësaj periudhe duke përmendur edhe një rregullore ku sipas tij thuhet se humbjet në veri të vendit do të inkorporohen në tarifat e transmetimit për një kohë deri sa të hiqen barrierat politike.

“A jeni ndikuar politikisht për nxjerrjen e kësaj rregullore apo si është vepruar për mbulimin e humbjeve në veri. Në bazë të informatave që i kemi sot po veprohet njëjtë”- tha Beqa.

Ish-anëtari i Bordit të ZRRE-së Naim Bejtullahu tha se ka pasur mundësi që mos të furnizohej veriu por se ky furnizim më pas do të vinte nga Serbia.

“A ka pasur mundësi mos me furnizuar veriun? Po ka pasur mundësi, po kish pas mundësi, por kush e kish furnizu veriun? Serbia. Pra ajo ka luftu me mish e me shpirt me furnizu veriun”- tha ai duke treguar se këtë e ka pritur Serbia që ta furnizoj veriun.

Edhe Nusret Avdiu ish-anëtar i Bordit të ZRRE-së, tha se humbjet kanë qenë shumë të larta në atë kohë dhe falja e borxheve nga Qeveria nuk ka qenë vendim i duhur.

“Humbjet janë paraqitur në transmision dhe në distribucion në shpërndarje. Në periudhën 2006 – 2010 humbjet janë trajtuar si humbje e përgjithshme në Kosovë nuk ka pas (veriu) dhe si të tilla janë socializu në tarifa”- tha ai.

Sipas tij humbjet kanë qenë shumë të larta në atë periudhë.

“Humbjet e distribucionit kanë qenë shumë të larta në atë periudhë, ka ndodh një e keqe që janë falë borxhet nga Qeveria e asaj kohe që nuk ka qenë zgjidhje e mirë”- tha Avdiu.

Edhe Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka shprehur interesim lidhur me interpretimin ligjor që e kanë pasur mes KEK-ut dhe Qeverisë për humbjet e lejuara.

“Po më intereson një interpretim ligjor që e keni pas mes KEK dhe Qeverisë te humbjet e lejuara”- shtoi ai.

Përparim Kabashi ish anëtar i bordit të ZRRE-së tha se në dokumentet zyrtare të ZRRE-së veriu nuk ka qenë i ndarë.

“Humbjet kanë qenë ato të realizuara një vit para, humbjet të cilat i kemi pranu sepse është bërë përmbyllja e vitit kalendarik Zyra e Rregullatorit e ka dhënë 4 për qind që në vitin vijues ato të zvogëlohen si humbje të përgjithshme dhe për ato nuk ka qenë pjesë e tarifave e mbulume me të hyra për KEK-un”- tha ai.

Kabashi shtoi se ZRRE në raportet e saj asnjëherë nuk e ka ndarë veriun.

“ZRRE edhe në raportet vjetore të cilat i ka përgatit që i ka dërgu në Kuvendin e Kosovës as një herë humbje nuk ka ndarë, veriu nuk ka qenë pjesë e ndarë edhe pse në vlerësime e është ditë se ka qenë diku 4 për qind e energjisë që ka shku në pjesën e veriut, mirëpo ZRRE në dokumentet e veta zyrtare nuk e ka ndarë asnjë herë e ka trajtu si tërësi edhe në sis të shqyrtimit tarifor por edhe në raportin vjetor që iu është dorëzu Kuvendit të Kosovës”- shtoi ai.