Seanca ndaj dy policëve që përgjuan gruan e biznesmenit Emerllahu/ FOTO KALLXO
Dënohen me burg policët që 'spiunuan' gruan e biznesmenit
Zyrtarët policor Rrahim Muja e Florim Krasniqi janë shpallur fajtor për veprën penale zbulim i fshehtësisë zyrtare dhe të njëjtit janë dënuar me nga 6 muaj burgim.
Ndaj dy zyrtarëve policor të akuzuar për zbulim të fshehtësisë zyrtare, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin.
Gjykata dy zyrtarëve policor ua ka mundësuar që dënimin me burgim të mund ta paguajnë në të holla në vlerë prej 3600 euro për secilin veç e veç.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi mbrojtësi i të akuzuarit Rrahim Muja, avokati Gazmend Halilaj.
Ai për KALLXO.com tha se si mbrojtje do të paraqesin ankesë kundër këtij aktgjykimi të cilin e quajti të padrejtë dhe të pa bazuar në prova.
Rrahim Muja dhe Florim Krasniqi akuzoheshin se në cilësinë e zyrtarëve policorë ia kanë vënë në dispozicion Dukagjin Emerllahut hyrjet dhe daljet dhe mesazhet telefonike të numrit që ishte në shfrytëzim të bashkëshortes së tij në kompensim të favorit për punësimin e familjarëve të tyre.
Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Dukagjin Emerllahu, i akuzuar për ushtrim ndikimi, por procedura ndaj tij është veçuar.
Sipas aktakuzës, Rrahim Muja, si zyrtar policor hetues dhe Florim Krasniqi, zyrtar policor patrullues, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë pa autorizim, akuzohen se Dukagjin Emerllahut, i cili është paraqitur si biznesmen, ia kanë vënë në dispozicion hyrje dhe daljet dhe mesazhet telefonike të numrit që ishte në shfrytëzim të bashkëshortes së tij, V.Z..
Këto të dhëna sipas aktakuzës, ia kanë dhënë Emerllahut pasi i kanë nxjerrë nga PTK.
Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo CD është gjetur pas bastisjes në shtëpinë e Emerllahut.
Ndërkaq, prokuroria ngarkon Emerllahun se në janar të viti 2014, ishte takuar me dy zyrtarët policorë, Florim Krasniqi dhe Rrahim Muja, ku edhe ishte prezantuar si biznesmen.
Emerllahu pretendohet të ketë kërkuar që numrin e telefonit të bashkëshortes së tij ta vendosin nën masat e fshehta, si dhe kishte kërkuar që të gjitha hyrje-daljet e sms-ve t’ia dorëzojnë përmes një CD-je.
Sipas prokurorisë, këto favore i kishte kërkuar duke u premtuar policëve punësim për familjarët e tyre.
Aktakuza thotë se gjashtë muaj pas këtij takimi, pas një kontrolli të Policisë në banesën e Emerllahut, ishte gjetur një revole e tipi “Beretta”, së bashku me një karikator dhe 14 fishekë, të cilat dhe ishin konfiskuar.