Kodi telefonik i Kosovës - Foto: REL

Çka deklaroi bashkëshortja e biznesmenit i cili kishte kërkuar 'spiunim' të telefonit të gruas nga hetuesit e Policisë

Dukagjin Emerllahu doli para Gjykatës së Prishtinës lidhur me akuzat e ushtrimti të ndikimit ndaj dy zyrtarëve hetues të Policisë, Rrahim Muja e Florim Krasniqi.

Emerllahu sipas aktakuzës ka kërkuar nga policët hetues, që numri i bashkëshortes së tij të futet në listën e masave të fshehta, duke kërkuar që të gjitha hyrjet-daljet telefonike të telefonit të bashkëshortes t`i dorëzohen në një CD.

Lidhur me këtë rast në cilësi të dëshmitares së Prokurorisë, u dëgjua personi që sipas aktkauzës ishte subjekt i masave të fshehta.

Bashkëshortja e Emerlahut, V. Z. u deklarua se nuk e ndjen veten të dëmtuar në këtë rast.

E njëjta u deklarua se ka marrëdhënie të shkëlqyera me bashkëshortin e saj, tashmë të akuzuarin Emerllahu.

Dëshmitarja tregoi momentin se kur e kishte kuptuar që telefoni i saj gjendej nën masat e fshehta.

“Këtë çështje e kam kuptuar kur keni bërë thirrje që të vij këtu, m’kan bo thirrje dhe të shkoj të dhë deklaratë në Polici”- tha dëshmitarja.

E njëjta konfirmoi pyetjen e prokurores së krimeve të rënda, Dulina Hamiti së në vitin 2014 kishte ndodhur një bastisje në banesën e tyre, por që data e saktë nuk i kujtohej.

Lidhur me këtë rast si dëshmitar ishte i ftuar edhe Florim Krasniqi, por i njëjti kishte lajmëruar Gjykatën në përbërje prej Ngadhnjim Arrni – kryetar, Agim Kuqi dhe Medie Bytyqi- anëtarë, se i njëjti gjendet në shtetin e Italisë dhe se i njëjti nuk mund të marrë pjesë për të dëshmuar.

Në këtë rast të akuzuar ishin edhe Rrahim Muja dhe Florim Krasinqi, por që lënda ishte veçuar.

Emerllahu për mbajtje të pa autorizuar tyë armëve, kishte pranuar fajësinë kurse për veprën tjetër është deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Rrahim Muja, si zyrtar policor hetues dhe Florim Krasniqi, zyrtar policor patrullues, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë pa autorizim, akuzohen se Dukagjin Emerllahut, i cili është paraqitur si biznesmen, ia kanë vënë në dispozicion hyrje dhe daljet dhe mesazhet telefonike të numrit që ishte në shfrytëzim të bashkëshortes së tij, V. Z.

Këto të dhëna sipas aktakuzës, ia kanë dhënë Emerllahut pasi i kanë nxjerrë nga PTK.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo CD është gjetur pas bastisjes në shtëpinë e Emerllahut.

Ndërkaq, prokuroria ngarkon Emerllahun se në janar të viti 2014, ishte takuar me dy zyrtarët policorë, Florim Krasniqi dhe Rrahim Muja, ku edhe ishte prezantuar si biznesmen.

Emerllahu pretendohet të ketë kërkuar që numrin e telefonit të bashkëshortes së tij ta vendosin nën masat e fshehta, si dhe kishte kërkuar që të gjitha hyrje-daljet e sms-ve t’ia dorëzojnë përmes një CD-je.

Sipas prokurorisë, këto favore i kishte kërkuar duke u premtuar policëve punësim për familjarët e tyre.

Aktakuza thotë se gjashtë muaj pas këtij takimi, pas një kontrolli të Policisë në banesën e Emerllahut, ishte gjetur një revole e tipi “Beretta”, së bashku me një karikator dhe 14 fishekë, të cilat dhe ishin konfiskuar.

Zyrtarët policor Rrahim Muja e Florim Krasniqi, ishin dënuar për veprën penale zbulim i fshehtësisë zyrtare me 6 muaj dënim me burgim.

Gjykata dy zyrtarëve policor ua kishte mundësuar që dënimin me burgim të mund ta paguajnë në të holla në vlerë prej 3,600 euro për secilin veç e veç.

Dënimi për Mujën e Krasniqin ishte shpallur korrik të vitit 2018.