Gjykata vendos ndaj burrit që akuzohet se kishte ndikuar tek hetuesit policor që t’ia fusnin në përgjime numrin e telefonit të gruas së tij
Dukagjin Emerllahu i akuzuar se kishte ushtruar ndikim tek dy hetues policor që numrin e telefonit të gruas së tij ta fusnin në listën e përgjimeve, është liruar nga kjo akuzë.
Gjykata në përbërje prej Ngadhnjim Arrnit- Kryetar, Medie Bytyqi dhe Agim Kuqi – anëtarë, bën të ditur se lirimi nga akuza erdhi si shkak që prokuroria nuk ka arritur të ofroj prova me të cilat do të mbështetej përshkrimi faktik i aktakuzës e rrjedhimisht edhe cilësimi juridik të veprës penale.
Ndërsa për veprën penale armëmbaje pa leje, i njëjti është dënuar me gjobë në shumën prej 1,500 euro.
Të pranishëm në shpallje të akgjykimit nuk ishin asnjëra nga palët në procedurë, duke përfshirë të akuzuarin me mbrojtësin e tij dhe prokuroria.
Në këtë rast të akuzuar ishin edhe Rrahim Muja dhe Florim Krasinqi, por që lënda u ishte veçuar.
Sipas aktakuzës, Rrahim Muja, si zyrtar policor hetues dhe Florim Krasniqi, zyrtar policor patrullues, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë pa autorizim, akuzohen se Dukagjin Emerllahut, i cili është paraqitur si biznesmen, ia kanë vënë në dispozicion hyrje – daljet dhe mesazhet telefonike të numrit që ishte në shfrytëzim të bashkëshortes së tij, V. Z.
Këto të dhëna sipas aktakuzës, ia kanë dhënë Emerllahut pasi i kanë nxjerrë nga PTK.
Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo CD është gjetur pas bastisjes në shtëpinë e Emerllahut.
Ndërkaq, prokuroria ngarkon Emerllahun se në janar të viti 2014, ishte takuar me dy zyrtarët policorë, Florim Krasniqi dhe Rrahim Muja, ku edhe ishte prezantuar si biznesmen.
Emerllahu pretendohet të ketë kërkuar që numrin e telefonit të bashkëshortes së tij ta vendosin nën masat e fshehta, si dhe kishte kërkuar që të gjitha hyrje-daljet e sms-ve t’ia dorëzojnë përmes një CD-je.
Sipas prokurorisë, këto favore i kishte kërkuar duke u premtuar policëve punësim për familjarët e tyre.
Aktakuza thotë se gjashtë muaj pas këtij takimi, pas një kontrolli të Policisë në banesën e Emerllahut, ishte gjetur një revole e tipi “Beretta”, së bashku me një karikator dhe 14 fishekë, të cilat dhe ishin konfiskuar.
Zyrtarët policor Rrahim Muja e Florim Krasniqi që të dy zyrtar policor, ishin dënuar për veprën penale zbulim i fshehtësisë zyrtare me 6 muaj dënim me burgim.
Gjykata dy zyrtarëve policor ua kishte mundësuar që dënimin me burgim të mund ta paguajnë në të holla në vlerë prej 3600 euro për secilin veç e veç.
Dënimi për Mujën e Krasniqin ishte shpallur korrik të vitit 2018.