Gjykimi për kontrabandim me migrantë, dëshmitari tregon se si nga gëzimi për vizën foton ia dërgoi të akuzuarit

“Vizën e kam fituar me punë. Nuk ka ndiku askush për mua… Ia kam dërguar Izetit fotografinë prej gëzimit”.

Kështu ka thënë në Gjykatën e Prishtinës dëshmitari M.H., i cili ka përmendur emrin e njërit prej të akuzuarve për kontrabandim me migrantë dhe krim të organizuar.

Izet Koplinger është njëri prej të akuzuarve në këtë rast.

Të akuzuar nga Prokuroria Speciale janë edhe Florim Krasniqi, Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku dhe Bekim Hasani.

Dëshmitari M.H. nuk ka treguar se nga e njihte të akuzuarin Izet Koplinger, as për arsyen pse ia kishte dërguar atij fotografinë.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe R.B., i cili rrëfeu se si kishte aplikuar për pasaportë të Serbisë në Nish.

Ai tha se një person në cilësinë e taksistit e kishte dërguar atë nga Graçanica në Nish dhe e kishte ndihmuar me përkthim, shërbime për të cilat kishte paguar deri në 150 euro.

Ndërkaq, më vonë dëshmitari zbuloi se ky person kishte qenë tani i akuzuari Haki Maloku.

Dëshmitari po ashtu deklaroi se posedon pasaportë serbe, të cilën ia ka konfiskuar hetuesia tash e dy vite.

“Deri sa isha duke u pajisur me pasaportën e Serbisë në Nish, nuk dija të komunikoja në gjuhën serbe. Më kanë ofruar ndihmë në përkthim, nuk kam paguar” – tha i njëjti gjatë dëshmisë së tij.

Dëshmitari deklaroi se ka qenë në Serbi tre herë për nxjerrjen e letërnjoftimit dhe pasaportës dhe se atje kishte shkuar me taksi.

Kur u pyet nga avokati Gëzim Behari, mbrojtës i Haki Malokut, se “a keni shkuar me të njëjtin person si në Nish edhe në Beograd?” dëshmitari u përgjigj: “Nuk e kam idenë”.

Lidhur me këtë anëtari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, e pyeti se pse në deklaratë në Polici ke qenë shumë i qartë kurse sot thua “nuk e njoh” e “nuk e di”. “A të ka bo Policia presion me bo deklaratë apo është e vullnetit tënd?” – pyeti gjyqtari.

Në këtë kontekst, dëshmitari tha se ka pasur presion nga Policia ai dhe prindi i tij.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga Kujtim Krasniqi – kryetar dhe Valon Kurtaj dhe Lutfi Shala – anëtarë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit e lartcekur akuzohen se që nga viti 2020 deri në vitin 2021 në role të ndara kanë vepruar si grup kriminal me qëllim të kontrabandimit me migrantë.

Pretendimet e Prokurorisë janë se Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat dhe Samet Murati kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin në vendet e ndryshme ndërsa në krye të këtij grupi, sipas Prokurorisë, është Florim Krasniqi, i cili dyshohet se ka krijuar laborator për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Tutje në dosje të këtij rasti thuhet se përmes të akuzuarit Hasani madje edhe vetë Florim Krasniqi këto dokumente ua kanë dërguar qytetarëve të ndryshëm përmes postave të shpejta ose vetë personalisht.

Po ashtu Florim Krasniqi dyshohet se ka bashkëpunuar me Taulant Bilallin në atë mënyrë që kanë gjetur shtetas të Kosovës që kanë dashur të migrojnë në vende të ndryshme dhe kanë bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e dokumenteve të falsifikuara si pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë dhe dokumente të tjera.

Prokuroria akuzon Koplingerin, Malokun dhe Sadat dhe Samed Muratin se në këtë rast kanë pasur rolin e ndërmjetësuesve.

Këtë rol ata akuzohen se e ushtruan duke gjetur persona të interesuar për dokumente të tilla dhe ia kanë marrë të dhënat personale pastaj ato të dhëna ia dërguan Florim dhe Florent Krasniqit.

Po ashtu Florim dhe Florent Krasniqi në lidhje me këtë për 2-3 orë kanë falsifikuar dokumentet dhe i kanë kthyer tek ndërmjetësuesit, të cilat dokumente këta të fundit ua dorëzuan blerësve dhe kanë përfituar shuma të ndryshme parash dhe atë deri në 3,000 euro.

Përveç kësaj, Izet Koplinger akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.