Greg Delawie në takimin lamtumirës - Foto: Facebook/RamushHaradinaj
Delawie porosit politikën e Kosovës të rrijë larg proceseve gjyqësore
Ambasadori amerikan në largim, Greg Delawie, ka porositur politikën e Kosovës që të rrijë larg proceseve gjyqësore.
Në një takim lamtumirës të organizuar nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, në nderim të tij, ambasadori i Shteteve të Bashkuara tha se në prag të largimit nga Kosova ka ndjenja të përziera.
“Më vjen mirë që po shkoj në shtëpi por më vjen keq që po largohem nga Kosova. Vendi juaj më ka magjepsur shumë. Gjithashtu ndihem mirë që në tri vitet e shkuara kam qenë dëshmitar i shumë gjërave pozitive. Kam shpresë sepse ju si shërbyes publikë keni potencial që ta bëni Kosovën të përparojë”, tha Delawie.
Ai porositi institucionet për përkushtim në drejtësi e gjyqësor.
Ambasadori shtoi se ligjet e krijuara edhe pse të paplota duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mos lënë politikën të marrë në dorë proceset gjyqësore.
“Për të arritur edhe më shumë Kosova duhet të pranojë më shumë ata që janë në cep, gratë, të rinjtë, komunitetet jo shumicë. Përkundër potencialit të këtyre grupeve ata ende nuk janë të përfshirë në shoqëri dhe kjo e dëmton vendin”, shtoi Greg Delawie.
Në fjalimin e tij, s’kishte si të mungonte edhe votimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
“Demarkacioni ishte një fitore e rëndësishme për Kosovën. Kryeministër edhe pse nuk pajtohemi për shumë gjëra e di që kemi punuar shumë për këtë çështje të vështirë. Kosovës i duhet fryma e bashkëpunimit”, tha tutje ambasadori amerikan, duke theksuar se do të kthehet prapë në Kosovë.
Në fund të fjalimit, Delawie tha se Kosova mund të jetë shembull ndërsa kërkoi që të gjithë të përkushtohen për këtë gjë.
Ndërsa, kryeministri Haradinaj ka falënderuar ambasadorin Delawie i cili u bë sebep që në këtë takim të bëheshin bashkë zyrtarë të institucioneve, të partive e të komuniteteve të ndryshme.
Kurse, kryeparlamentari Kadri Veseli për ambasadorin Greg Delawie tha se pak ka parë njerëz që nga natyre të jetë aq i qetë por shumë i vendosur.
“Po të mos ishte ky ambasador me vendosmërinë e tij, në të njëjtën kohë më këshillat e përkrahjen, Kosova jonë s’do të ishte ku është aktualisht, me një situatë të qetë e që mendon për procese të tjera”, tha Veseli.
Greg Delawie këto ditë përfundon mandatin dhe në vend të tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë do të vijë Philip S. Kosnett.