Del Para Gjyqit i Dyshuari për Sulm Ndaj Delegacionit Serb

Kushtrim Dakaj doli të enjten para gjykatës për t’u përgjigjur rreth akuzave që e ngarkojnë për rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe dëmtim të pronës së paluajtshme.

Por seanca u shty për shkak se prokurori i rastit kishte kërkuar që mos të jepet fjala përfundimtare nga kolegu i tij.

Aktakuza e ngarkon Dakajn se në prill të vitit 2012 kishte sulmuar një delegacion nga Serbia në veturën e tyre përderisa ata po qëndronin zyrtarisht në Kosovë për t’i sjellë dokumentet kadastrale, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në Bruksel në kuadër të dialogut politik Kosovë- Serbi.

Ai akuzohet se si pjesë e një grupi personash, ka gjuajtur me gurë ndaj makinës të cilës i ishin thyer xhamat, ndërsa pasagjerët kishin marrë disa gërvishtje në gishta.

Avokati mbrojtës i te akuzuarit Dakaj, Afrim Salihaj ia dorëzoi gjykatës disa dokumente si prova me te cilat dëshmohet gjendja shëndetësore e te mbrojturit të tij në vitin 2010 dhe 2012.

“Këto dokumente po i dorëzojmë tash pasi ne veç mbrëmë vonë kemi arritur t’i sigurojmë”, tha avokati.

Por Prokurori zëvendësues Tomas Ojo, pas dorëzimit te këtyre dy  dokumenteve deklaroi se mbrojtja këto dokumente po i dorëzon pa i elaboruar se për çka shërbejnë ato.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 15 shkurt.