Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com

Vrasja e Oliver Ivanoviqit- Kërkesa e mbrojtjes për analizimin e CD-ve të vendngjarjes anulon seancën

Seanca gjyqësore e planifikuar për sot në lidhje me rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviqit është anuluar. Ky vendim është marrë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës të të akuzuarve në këtë çështje penale.

Të njëjtët kanë kërkuar më shumë kohë për të analizuar CD-të e vendngjarjes, që janë vendosur si prova materiale në këtë rast.

Këtë për Kallxo.com, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Seanca gjyqësore e radhës, pritet të mbahet më 27 tetor.

Në shqyrtimin gjyqësor të datës 2 gusht 2023, lidhur më këtë çështje, ishte parashikuar që të shfaqeshin video-materialet për rastin e vrasjes së Ivanoviqit.

Shkurtimi i video-materialeve nga ana e prokurorit të rastit, kishte nxitur polemika në këtë seancë.

Gjyqtari i çështjes, Valon Kurtaj kishte deklaruar që për shkak të materialit voluminoz, ekipeve të mbrojtjes do t’i jepej kohë për shikimin e këtyre video-incizimeve dhe se ky material prej 61 GB do të i’u dorëzohet të njëjtëve në një USB.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Së fundmi për këtë rast është arrestuar Milan Mihajloviq i cili është i njohur me emrin “Popi”.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, u vra më 16 janar të vitit 2018 para hyrjes së objektit të partisë së tij.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK.