Pal Lekaj në gjyq - Foto: KALLXO.com
Reagon Pal Lekaj: Jam i bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi
Pal Lekaj, ish-ministri i Infrastrukturës, tani deputet i AAK-së ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore që shpalli atë fajtor për rastin e “53-milionëshit”.
Zyra për Media e AAK-së ka dërguar një reagim të deputeti Pak Lekaj pas shqiptimit të dënimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Lekaj përmes këtij reagimi, paralajmëroi ankimim të vendimit në Gjykatë të Apelit, duke thënë se është i bindur që vendimi do të shpallet i pavlefshme.
Sipas tij, në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, duke shtuar se i tillë ishte ai i sotëm ndaj tij.
“Kundërshtarëve te mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë” – ka thënë deputeti Lekaj.
“E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e Autostradës “Arbën Xhaferi”! I bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi!” – përfundon reagimi i Lekajt.
Pal Lekaj dhe të tjerët janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte bërë kompanisë “Bechtel & Enka” për zgjatjen e afatit të përfundimeve të punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”.
Lekaj u dënua me tri vjet e tetë muaj me burg efektiv.
Akuza e ngritur nga prokurorët Atdhe Dema dhe Valdet Gashi, e bënte përgjegjës Pal Lekajn për aferën e 53 milionëve për ‘Bechtel & Enka’
Sipas aktakuzës, kompania “Bechtel & Enka” mori 53 milionë shtesë në tenderin për autostradën Prishtinë – Han i Elezit.
Gjykata në vendimin e sotëm kishte gjetur se këto 53 milionë u dhanë kundërligjshëm dhe Pal Lekaj u shpall fajtor sepse kundërligjshëm kishte nënshkruar këtë marrëveshje.
Gjykata konstatoi poashtu se Pal Lekaj kishte ndikuar përmes këshilltarit të tij Eset Berisha tek Shefi i Zyrës Ligjore brenda Ministrisë, për të ndërruar opinionin ligjor mbi 53 milionëshin.
Ministria e Infrastrukturës kishte kontratë me një kompani të huaj “Hill International”, që duhej ta mbikëqyrte projektin e autostradës “Prishtinë – Hani i Elezit”.
Lekaj është gjetur fajtor nga Gjykata se opinionin e kësaj kompanie mbi pagesën e 53 milionëve e kishte fshehur nga anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror, ku Lekaj ishte kryesues.
Në këtë opinion, thuhej se nga 53 milionë euro, vetëm 14 milionë janë të arsyetuara si pagesë që duhej bërë.
Përveç ish-ministrit Pal Lekaj, në këtë gjykim janë dënuar edhe tre persona të tjerë.
Ish këshilltari i Lekajt në Ministrinë e Infrastrukturës, Eset Berisha është dënuar po ashtu me 3 vjet e 3 muaj.
Ndërsa dy zyrtarët e tjerë të ministrisë, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri janë dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burg secili.
’53 Milionëshi’ – Pal Lekajn dhe të tjerët Gjykata Themelore i gjen fajtorë