Gjykimi për tenderin e ekskursionit të maturantëve | Foto: KALLXO.com

Deklarojnë Pafajësinë të Akuzuarit për Tenderin e Ekskursionit

Në gjykimin për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të besimit që ka të bëjë me përzgjedhjen e kompanisë për transportimin dhe akomodimin e 521 maturantëve të Gjimnazit “Hajdar Dushi” të Gjakovës në kuadër të ekskursionit në Shqipëri, Teuta Vokshi dhe Agron Lleshi u deklaruan të pafajshëm.

Teuta Vokshi që po akuzohet në cilësinë e zyrtares së Komunës së Gjakovës (udhëheqëse e Sektorit të Arsimit pranë Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjakovë) dhe Agron Lleshi, si përfaqësues i prindërve të maturantëve, nuk e ndjenë fajtorë kur u pyetën në gjykatë në lidhje me akuzat që u ngarkohen.

“Nuk e pranoj fajësinë. Kjo aktakuzë është tërësisht e pabazuar, nuk ka asnjë mbështetje ligjore dhe si e tillë nuk qëndron, andaj deklarohem tërësisht e pafajshme,” tha Vokshi që akuzohet për keqpërdorim detyre.

As i akuzuari Agron Lleshi nuk e pranoi fajësinë duke u arsyetuar në mbështetjen e prindërve të maturantëve që kishte për përzgjedhjen e kompanisë që do t’i dërgonte ata në Shqipëri.

“Nuk jam fajtor, kompaninë që e kemi zgjedhur ne ka qenë me kushte më të mira për fëmijët tanë. Për këtë unë e kam pasur përkrahjen e gjithë prindërve dhe nuk ndjehem aspak fajtor,” tha Lleshi.

Para se Vokshi dhe Lleshi të deklaronin pafajësinë, prokurori Ali Uka lexoi aktakuzën ndaj tyre.

“ …e pandehura Teuta Vokshi si person zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që duke qenë në komisionin për përzgjedhjen e firmës së autobusëve për ekskursion ka përzgjedhur kompaninë më të shtrenjtë se kompania tjetër konkurruese”, tha prokurori Uka.

Uka tha se Agron Lleshi keqpërdori besimin e prindërve të maturantëve.

“i pandehuri Agron Lleshi akuzohet se nuk i ka përmbushur detyrimet ose ka keqpërdorur autorizimet e tij me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, me ç’rast i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm kompanisë që kishte ofruar çmim më të lirë dhe më të mirë. Me çka ka kryer veprën penale keqpërdorim i besimit,” tha prokurori Ali Uka.

KALLXO.com kishte raportuar më parë për ngritjen e aktakuzës ndaj Vokshit e Lleshit.

http://kallxo.com/aktakuze-kunder-zyrtares-komunale-rreth-tenderit-per-ekskursionin/

KALLXO.com shkroi edhe për raste tjera kur pati ankesa për keqpërdorim ekskursionesh.

http://kallxo.com/ekskursioni-shtrenjte-maturanteve-te-pejes/

http://kallxo.com/kurdisja-e-ekskursioneve-ne-suhareke/

http://kallxo.com/tenderi-i-ekskursioneve-i-fituar-nga-njerezit-nen-dardhen-e-pushtetit/