Deklarohet i Pafajshëm Drejtori i Financave i Kryeministrisë

Pasi dëgjuan me vëmendje leximin e aktakuzës nga prokurorja Fikrije Fejzullahu, të akuzuarit Zahir Bajrami dhe Adrian Bajrami u deklaruan të pafajshëm.

Më tutje, prokurorja Fejzullahu kërkoi që dy të akuzuarve Bajrami t’u vazhdohet masa e paraburgimit.

“T’u vazhdohet masa e paraburgimit. Në tërësi ekzistojnë të gjitha shkaqet dhe rrethanat për të cilat është caktuar kjo masë nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake. Në rastin konkret se të pandehurit e kanë kryer veprën penale është vërtetuar nga sigurimi i provave dhe ky fakt paraqet rrethanë që kundër të njëjtëve të vazhdohet masa e paraburgimit sepse tanimë të njëjtit duke qenë në dijeni se nëse shpallen fajtorë iu kanoset dënim relativisht i lartë, ekziston rreziku që të njëjtit të gjejnë mënyrë të mos u përgjigjen ftesave të Gjykatës dhe në këtë mënyrë do të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale”, tha prokurorja Fejzullahu.

E për këtë reaguan avokatët mbrojtës, Ahmet Ahmeti dhe Leon Përlaska, të cilët mohuan që një gjë e tillë mund të ndodhë nga ana e të akuzuarve Bajrami.

Avokati i Zahir Bajramit, Ahmet Ahmeti, tha se nuk pajtohet me kërkesën e prokurores për vazhdimin e paraburgimit.

“Nga provat që mbrojtja i ka marrë dhe nga mbrojtja e të mbrojturit tim, konsideroj se i njëjti nuk është kryes i veprës penale siç përshkruhet në dispozitiv. Për këtë arsye nuk është plotësuar kushti për vazhdimin e paraburgimit”, tha avokati Ahmeti.

“Po ashtu, të mbrojturit tim i dihet identiteti, vendqëndrimi dhe se i njëjti ka banesë dhe ka tërë pasurinë e luajtshme e paluajtshme në Prishtinë dhe në fshatin e tij të lindjes. Kështu që nuk ka kurrfarë baze që i mbrojturi im të ikë”, tha avokati i të akuzuarit Zahir Bajrami.

Edhe avokati i Adrian Bajramit, Leon Përlaska, potencoi se nuk ka prova të mjaftueshme për vazhdimin e paraburgimit ndaj klientit të tij.

“Sa i përket rrezikut të ikjes Prokuroria e arsyetoi këtë bazë me faktin se për veprën penale për të cilën dyshohet i mbrojturi im parashihet dënim relativisht i lodhtë”, tha avokati Përlaska.

Për më tepër, avokati theksoi se i dëmtuari Elsadat Musliji nuk jeton fare në Kosovë, andaj ndikimi tek i dëmtuari është objektivisht i pamundur.

Si rezultat, të dy avokatët mbrojtës i propozuan Gjykatës që të akuzuarve Bajrami të mos u vazhdohet masa e paraburgimit por ndonjë masë tjetër më e butë për sigurinë e pranisë së të akuzuarve.

Në fund të seancës, gjyqtari Shashivar Hoti mori aktvendim që të akuzuarve Bajrami t’u ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’u zëvendësohet me arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej dy muajve.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Zahir Bajrami gjatë kohës që ishte drejtor për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrit së Kosovës e ka keqpërdorur autoritetin zyrtar. Që nga viti 2012 ishte takuar disa herë me të dëmtuarin e rastit, Elsadat Musliji, të cilit i kishte premtuar që përmes pozitës së vet do t’ia hiqte dënimin prej tri vitesh burgim të shqiptuar nga Gjykata e Qarkut.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Zahir Bajrami përmes djalit të tij, të akuzuarit Adrian Bajrami, më 9 shkurt të vitit 2017, i kishte marrë 10,000 euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, pasi që të njëjtit i kishte premtuar se do të ndikonte në Gjykatën e Apelit për heqjen e dënimit me burgim.

Ndërkaq, djali i tij, Adrian Bajrami, fillimisht ia kishte marrë 10,000 euro, e më pas ia kishte kërkuar edhe 10,000 euro, ashtu që i dëmtuari Musliji është detyruar që rastin ta paraqesë në Polici.

Për këtë i akuzuari Zahir Bajrami ngarkohet me veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, ndërsa djali i tij, i akuzuari Adrian Bajrami, ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Babë e bir ishin arrestuar nga Policia më 9 shkurt 2017.

KALLXO.com raportoi edhe për pezullimin e këtij zyrtari të Kryeministrisë.

http://kallxo.com/pezullohet-zyrtari-qeveritar-dyshuar-per-mashtrim/

Redaktoi: Naser Sertolli