Ish-drejtori për buxhet dhe financa në Zyrën e Kryeministrit dënohet me dy vjet burg për mashtrim

Me dy vjet burg dhe pesë mijë euro gjobë është dënuar Zahir Bajrami, ish-drejtori për buxhet dhe financa në Zyrën e Kryeministrit.

“I akuzuari Z.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite dhe dënim me gjobë në shumë prej 5000 (pesë mijë) euro, koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak i llogaritet në dënimin e shqiptuar” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.

Në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës thuhet se Zahir Bajrami gjatë vitit 2012 me qëllim të përfitimit të kundërligjshshëm të dobisë pasurore, derisa ishte drejtor për buxhet dhe financa në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës kishte kryer veprën penale – Mashtrimi.

Zahir e Adrian Bajrami, babë e bir u arrestuan në shkurt të vitit 2017.

Sipas Prokurorisë, Zahir Bajrami akuzohej sepse përmes djalit të tij Adrian Bajrami, më 9 shkurt 2017, i kishte marrë 10 mijë euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, duke i premtuar si këmbim, ndikimin në Gjykatën e Apelit, që Elsadat Muslijut t’i hiqej dënimi me burgim.

Në aktakuzë thuhet se Adrian Bajrami në fillim ia mori Muslijit 10 mijë euro dhe pastaj ia kërkoi edhe 10 mijë euro tjera për dënimin prej tre vjetësh burgim që i ishte shqiptuar nga gjykata.

Rasti ndaj ish-drejtorit për buxhet dhe financa në ZKM ishte trajtuar disa herë nga shkalla e parë dhe shkalla e dytë.

Më shumë rreth rastit të Zahir Bajramit, ish-drejtor për buxhet dhe financa në ZKM mund të lexoni duke klikuar KËTU.