Prokuroria kërkon që ish-drejtori për buxhet i Kryeministrisë të dënohet për mashtrim

Gjykata e Prishtinës pritet që për herë të tretë të vendos për rastin e ish-drejtorit për buxhet dhe financa në Zyrën e Kryeministrisë, Zahir Bajrami.

Bajrami dy herë ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës, por në dy rastet Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Në tentativën e tretë, Prokurorja e shtetit po kërkon nga gjykata e Prishtinës që Zahir Bajrami, ish-drejtori i buxhetit në ZKM të dënohet për mashtrim.

Te mërkurën është mbajtur seanca e radhës nga Zahir Bajramit dhe djalit të tij, Adrianit, të cilët akuzohen se mashtruan të dëmtuarin Elsadat Musliji duke i premtuar t’i heqin dënimin me burgim në këmbim të 10 mijë eurove.

Gjatë seancës së mbajtur sot Prokurorja e shtetit në fjalën përfundimtare tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, fjalës përfundimtare dhe ricilësimit juridik të bërë nga prokurori i mëparshëm.

Zahir Bajrami i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare është ri-cilësuar vepra penale ashtu që ai tash akuzohet për mashtrim.

“I pandehuri Zahir Bajrami, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, derisa ishte drejtor për buxhet dhe financa në zyrën e kryeministrisë së Kosovës e ka mashtruar duke e vënë në lajthim të dëmtuarin Elsadat Musliji”, tha prokurorja, Dulina Hamiti me rastin e plotësimit të aktakuzës.

Gjithashtu edhe avokatja e të dëmtuarit, tha se e mbështet fjalën përfundimtare të dhënë nga prokurori.

“I dëmtuari paraqet kërkesë pasurore juridike, duke propozuar Gjykatës që me aktgjykimin që do ta sjell me këtë çështje penale t’i obligoj të akuzuarit Zahir Bajrami dhe Adrian Bajrami që solidarisht të dëmtuarit t’i kompensojnë shumën të cilën e kanë marrë sepse sipas aktgjykimit që unë kam në dorë Gjykata e ka obliguar vetëm të akuzuarin e dytë”, tha Zejnepe Zenuni, avokatja e të dëmtuarit.

Kurse, Ahmet Ahmeti avokati i të akuzuarit Zahir Bajrami tha se ka pritur që prokurorja e rastit do të heq dorë nga aktakuza.

“Unë sinqerisht kam pritur që përfaqësuesja e akuzës do të heq dorë nga aktakuza” .

Ndërsa vet i akuzuari, Zahir Bajrami tha se është i zhgënjyer nga prokuroria.

“Unë kam pritur shumë prej prokurorisë, në prezantimin e sotëm jam më i zhgënjyer se herën e kaluar”, ka thënë ish-drejtori i Buxhetit në ZKM.

Ndërsa sipas, Leon Përlaskes, avokati i të akuzuarit Adriani Bajrami, me plotësimin e bërë sot prokuroria e ka bërë edhe më konfuze situatën.

Sipas aktakuzës, Zahir Bajrami përmes djalit të tij Adrian Bajramit më 9 shkurt të vitit 2017 i kishte marrë 10,000 euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, duke i premtuar në këmbim ndikimin në Gjykatën e Apelit që Muslijit t’i hiqet dënimi me burgim.

Në aktakuzë thuhet se Adrian Bajrami në fillim ia mori Muslijit 10 mijë euro dhe pastaj ia kërkoi edhe 10 mijë euro tjera për dënimin prej tre vjetësh burgim që i ishte shqiptuar nga gjykata.

Zahir e Adrian Bajrami, babë e bir u arrestuan në shkurt të vitit 2017.

Kjo çështje është e kthyer në rigjykim për herën e dytë.

Gjykata e shkallës së parë në tetor të vitit 2017, Zahir Bajramin, e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me 1 vit e gjysmë burg, ndërsa djali i tij Adriani me 10 mijë euro gjobë me kusht, dhe 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikimi.

Të akuzuarit pranë Gjykatës së Apelit kanë paraqitur ankesë lidhur me vendimin e shkallës së parë dhe Apeli në mars të vitit 2018 ka kthyer çështjen në rigjykim.

Gjykata e Prishtinës në çështjen e kthyer në rigjykim, në tetor të vitit 2018 vendosi që të dy të akuzuarit të i shpall fajtor.

Apeli përsëri ka kthyer lëndën në rigjykim pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve av. Ahmet Ahmeti dhe Leon Përlaska. Gjykata e Apelit kishte gjetur se ankesat e mbrojtësve të akuzuarve janë të bazuara.

Seanca e ardhshme ku do të bëhet edhe shpallja e vendimit të gjykatës është caktuar të mbahet me datë 23 gusht.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast.

https://kallxo.com/tag/zahir-bajrami/