Arrestohet Zyrtari i Lartë i Qeverisë, Kërkonte Para për Zgjidhjen e një Rasti në Gjykatë

Sipas burimeve të KALLXO.com, i arrestuari është Zahir Bajrami i cili mban pozitën e drejtorit të financave në qeverinë e Kosovës.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për arsyet e arrestimit duke sugjeruar gazetarin që t’i referohet raportit 24 orësh të policisë.

E kontaktuar nga KALLXO.com, avokatja Adelina Isufi ka konfirmuar se mbrëmë ka marrë pjesë në intervistimin e Bajramit në Polici po nuk ka dhënë detaje.

Ajo ka thënë se ka qenë sipas detyrës zyrtare ndërsa klientin e saj sipas autorizimit vazhdon ta mbrojë një avokat tjetër.

Në raport flitet edhe për një të arrestuar tjetër.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, pasi që të njëjtit në bashkëpunim ia kanë marrë viktimës një shume të konsiderueshme parash me qëllim të heqjes së një dënimi të shqiptuar nga një gjykatë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Fitim Krasniqi, ka thënë se drejtori i financave nuk ka dalë sot në punë në qeveri ndërsa ende nuk kanë ndonjë njoftim nga ndonjë institucion për mundësinë e arrestimit të tij.

Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, ka konfirmuar për KALLXO.com se njëri nga të arrestuarit e djeshëm është zyrtar në drejtorinë e financave në qeverinë e Kosovës.

As Beka as policia nuk kanë dhënë detaje për shumën e parave të kërkuara dhe lëndën gjyqësore për të cilën janë kërkuar paratë.