Foto: Kallxo.com

Rigjykimi i zyrtarit të Qeverisë, i dëmtuari tregon si u mashtrua

I dëmtuari, Elsat Musliji, rrëfeu para gjykatës se si u mashtrua nga zyrtari i Qeverisë, Zahir Bajrami, dhe djali i tij Ardian Bajrami, të cilët Prokuroria po i akuzon se i morën nga i dëmtuari 10 mijë euro duke i premtuar si këmbim, ndikimin në Gjykatën e Apelit.

Kjo çështje e cila është kthyer në rigjykim po gjykohet nga trupi gjykues me kryetarin Shashivar Hoti dhe anëtaret e trupit gjykues Beqir Kalludra e Hanefi Jashari.

Gjatë dëshmisë së tij, i dëmtuari Musliji, rrëfeu se si djali i zyrtarit të Qeverisë, Ardiani Bajrami, i  kishte thënë që babai i tij, zyrtar në Qeverinë e Kosovës, mund t’i kryejë punë rreth heqjes së dënimit. Musliji ishte dënuar me 3 vite nga Gjykata e shkallës së parë për veprën kontrabandim me emigrantë.

Ndërsa Musliji tha se vet zyrtari i Qeverisë tha se i kishte kërkuar shumën prej 10,000 euro për shlyerjen e dënimit.

Sipas të dëmtuarit, ai ka pranuar këtë propozim duke i dorëzuar shumën prej 10,000 euro Ardianit, mirëpo dënimi i tij edhe me tutje nuk ishte shlyer.

Kur lënda e të dëmtuarit ishte kthyer në rigjykim, ai tha se Zahiri i kishte thënë “këto punë shkojnë kështu fshehtas, mos me qenë roshkodellat e mi, nga 3 vite tu kishin bërë 5”. Madje ai tha se me fjalën “roshkodellat” i akuzuari i referohej Enver Hasanit i cili, sipas tij, ishte mik i Zahirit.

Emri i Enver Hasanit ishte lakuar edhe më parë gjatë Gjykimit, i cili për Kallxo.com kishte mohuar çdo lidhje me të akuzuarin e këtij rasti.

Gjatë kësaj seance, i dëmtuari kishte përmendur edhe emrin e deputetit Nait Hasani, të cilin tha se i akuzuari e kishte baxhanak.

Sipas të dëmtuarit pasi që ai kishte parë se ishte mashtruar kishte kërkuar t’i kthehen paratë, mirëpo të akuzuarit nuk i kishin kthyer ato. Madje ata, sipas tij, kishin kërkuar edhe 10,000 euro shtesë, me arsyetimin se “atyre të mëdhenjve i janë dukur pak 10,000 euro”.

Për mashtrimin që i ishte bërë i dëmtuari i ishte drejtuar policisë.

I dëmtuari në bashkëpunim me policinë e kishte thirrë Ardian Bajramin dhe e kishte bindur atë se i dëmtuari ka vendosur që t’ia japë atij edhe 10,000 euro shtesë. Pikërisht kur djali i zyrtarit qeveritar kishte pranuar të hollat, ishte zënë në flagrancë nga policia.

Sipas aktakuzës, Zahir Bajrami përmes djalit të tij Adrian Bajramit më 9 shkurt të vitit 2017 i kishte marrë 10,000 euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, duke i premtuar në këmbim ndikimin në Gjykatën e Apelit që Muslijit t’i hiqet dënimi me burgim.

Në aktakuzë thuhet se Adrian Bajrami në fillim ia mori Muslijit 10 mijë euro dhe pastaj ia kërkoi edhe 10 mijë euro tjera për dënimin prej tre vjetësh burgim që i ishte shqiptuar nga gjykata.

Zahir e Adrian Bajrami, babë e bir u arrestuan në shkurt të vitit 2017.

Kjo çështje është e kthyer në rigjykim për herën e dytë.

Gjykata e shkallës së parë në tetor të vitit 2017, Zahir Bajramin, e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me 1 vit e gjysmë burg, ndërsa djali i tij Adriani me 10 mijë euro gjobë me kusht, dhe 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikimi.

Të akuzuarit pranë Gjykatës së Apelit kanë paraqitur ankesë lidhur me vendimin e shkallës së parë dhe Apeli në mars të vitit 2018 ka kthyer çështjen në rigjykim.

Gjykata e Prishtinës në çështjen e kthyer në rigjykim, në tetor të vitit 2018 vendosi që të dy të akuzuarit të i shpall fajtor.

Apeli përsëri ka kthyer lëndën në rigjykim pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve av. Ahmet Ahmeti dhe Leon Përlaska. Gjykata e Apelit kishte gjetur se ankesat e mbrojtësve të akuzuarve janë të bazuara.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.