Foto: KALLXO.com

Gjykata e Prishtinës shpall fajtorë të akuzuarit për kontrabandim me migrantë

Të akuzuarit Naim Ibishi dhe Elsadat Musliji, të ngarkuar për veprën penale – kontrabandim me migrantë, janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Prishtinës dhe janë dënuar me dënim me gjobë secili me nga 6,500 euro.

Në këtë dënim do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, krejt kjo pasi të akuzuarit kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë.

Gjykata bëri të ditur se Naim Ibishit iu kanë larguar 2,820 euro nga 6,500 euro ndërsa për Elsadat Muslijin janë larguar 2,860 euro ndërsa pjesën tjetër e paguajnë me këste.

Ky vendim është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Ertan Sejfulla – kryetar i trupit gjykues dhe Naser Foniqi dhe Fatime Dërmaku – anëtarë.

Me të filluar seanca gjyqësore më 31.07.2024 kryetari i trupit gjykues Ertan Sejfullah bëri të ditur se kanë pranuar një marrëveshje për pranimin e fajësisë mes të akuzuarve dhe Prokurorisë prandaj i ftoi palët që të deklarohen lidhur me pranimin e marrëveshjes së fajësisë.

Prokurori i shtetit, Bashkim Zeqaj, lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë deklaroi se pas kërkesës së mbrojtësve të drejtuar me shkrim Prokurorisë, përkatësisht atij si prokuror i cili e përfaqësoi këtë rast, fillimisht e kishte analizuar parashtresën e mbrojtësve e më pastaj kishte marrë autorizimin nga Kryeprokurori, dhe më 05.07.2024 në zyrën e tij kishin zhvilluar një takim me mbrojtësit e të pandehurve dhe të pandehurit dhe kishin arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Ai konsideroi që kjo marrëveshje është arritur me vullnetin e plotë të palëve dhe pa presion dhe ndikim.

Pas deklarimit të prokurorit Bashkim Zeqaj lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë u deklaruan edhe avokatët e të akuzuarve ndërsa të pandehurit i mbështetën fjalët e tyre.

Trupi gjykues bëri të ditur se janë përmbushur të gjitha kushtet për arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, prandaj Gjykata mori aktvendim për pranimin e marrëveshjes së arritur.

Tutje seanca e shqyrtimit gjyqësor vazhdoi me deklarimin e palëve lidhur me dënimin.

“Në dënimin e rekomanduar për veprën penale se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kontrabandim me migrantë kemi paraparë dënim me burgim efektiv prej 6 muaj, në kuptim nenit 44 me pëlqimin e pandehurit dënimi të zëvendësohet në dënim me gjobë dhe atë për secilin veç e veç në shumën prej 4,000 deri 6,500 euro për secilin të pandehur. Në këtë dënim është llogaritur edhe koha e qëndrimit të të pandehurve në paraburgim dhe atë për të pandehurin Naim Ibishi për periudhën 02.04.2012 deri me 23.08.2012 dhe për tjetrin të pandehur Elsadat Musliji prej datës 31.03.2012 deri më 23.08.2012. Po ashtu në kuadër të kësaj marrëveshjeje kemi paraparë se gjoba të cilën e parasheh Gjykata të paguhet në 3 këste” – deklaroi prokurori Zeqaj gjatë seancës së sotme.

Pas prokurorit të shtetit u deklarua edhe mbrojtësi i të pandehurit Naim Ibishi, avokati Muhamet Humolli, i cili kërkoi nga Gjykata të ketë parasysh edhe moshën e re të të mbrojturit të tij i cili ka qenë në kohën e kryerjes së veprës penale pasi sipas tij tani kanë ndryshuar rrethanat e statusit të të mbrojturit të tij në kuptim të asaj që i njëjti është i martuar, i ka 3 fëmijë të mitur, jeton përkohësisht në Zvicër duke punuar si punëtor fizik duke ushqyer familjen dhe i njëjti varet nga një rrogë e punëtorit.

“Pendimi i thellë i të mbrojturit tim, premtimi se në të ardhmen nuk do të kryejë më vepra penale të tilla apo të ngjashme dhe me rastin e marrjes parasysh të gjitha këtyre rrethanave lehtësuese të cilat shkojnë në favor të të mbrojturit tim t’i shqiptojë një sanksion penal minimal sipas marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë prej 4,000 euro i cili sanksion do të kënaqë drejtësinë dhe do të ndikojë në mënyrë preventive për të mos kryer më vepra penale” – tha mbrojtësi i të pandehurit Naim Ibishi, avokati Muhamet Humolli.

Tutje seanca vazhdoi me deklarimin e mbrojtësit të të akuzuarit Elsadat Musliji, avokati Avni Ibrahimi, i cili kërkoi nga Gjykata që të merret parasysh pranimi i fajësisë dhe sjellja e sinqertë e të mbrojturit të tij.

Të pandehurit i mbështetën fjalët e mbrojtësve të tyre.

Po ashtu gjatë seancës së sotme janë dhënë edhe fjalët përfundimtare nga prokurori i shtetit dhe avokatët e të akuzuarve ndërsa të akuzuarit i mbështetën fjalët e mbrojtësve të tyre.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së datës 28.05.2012, Naim Ibishi dhe Elsadat Musliji akuzohen se në bashkëkryerje  me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror janë marrë me trafikim të migrantëve.

Sipas aktakuzës, nga mesi i muajit mars te vitit 2012 F.M.  kishte qenë e interesuar të migrojë në mënyrë të paligjshme jashtë vendit, nga Kosova për në Zvicër, ashtu që vëllai i saj R.M. dhe burri i motrës së saj I.S. ishin takuar tri herë me të pandehurin Naim Ibishi në Ferizaj, ku kishin arritur marrëveshje rreth dërgimit të F.M. në Zvicër, dhe që i pandehuri Ibishi t’ia siguronte lejen zvicerane të qëndrimit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin marrë vesh që porsa F.M. të arrijë në Zvicër duhej të paguheshin 3,500 euro.

Naim Ibishi dhe Elsadat Musliji në mënyrë të panjohur e kanë siguruar lejen e qëndrimit të Zvicrës të falsifikuar në emër të F.M.

Këtë leje qëndrimi zvicerane e kishte mbajtur i pandehuri Elsadat Musliji, ndërsa i pandehuri Naim Ibishi përpara se F.M. të hyjë në pikën kufitare të Aeroportit të Prishtinës ia kishte përshkruar personave R.M. e I.S. dukjen dhe veshjen e përafërt të të pandehurit Elsadat Musliji i cili e kishte mbajtur me vete leje qëndrimin zviceran në emër të F.M. në një zarf si dhe ua kishte sqaruar atyre situatën se posa Elsadat Musliji dhe F.M. të arrijnë në aeroportin e Lubjanës aty Elsadat Musliji do t’ia jepte këtë leje qëndrimi zvicerane F.M.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ky plan i të akuzuarve dështoi porsa F.M. hyri në pikën kufitare të aeroportit të Prishtinës, ku iu parashtruan disa pyetje nga zyrtarët policorë, ndërsa e dëmtuara vazhdonte të tregonte realitetin se qëllimi i saj  ishte që të shkonte në Zvicër e jo në destinacionin Stamboll të Turqisë.

Tutje sipas aktakuzës e dëmtuara sipas përshkrimit te mëhershëm që kishte nga R.M. dhe I.M. për të pandehurin Elsadat Musliji, iu rrëfen policëve kufitarë për të njëjtin duke cekur se ky person e ka me vete leje qëndrimin zviceran në emër të saj.

Me të pranuar këto informacione, sipas aktakuzës, Policia pas ndërmarrjes së veprimeve operative e gjejnë të pandehurin Elsadat Musliji, i cili në ato çaste ishte duke pritur në hapësirën e nisjeve të Aeroportit të Prishtinës e me këtë rast të njëjtit ia gjejnë dhe konfiskojnë në një zarf leje qëndrimin zviceran të cekur, për të cilin është konstatuar se është krejtësisht i falsifikuar.

Me këto veprime në bashkëkryerje të pandehurit kanë kryer veprën penale – kontrabandim me migrantë.