Debat me Qytetarë i Kryetares së Gjakovës

Në debatin e kryetares Kusari-Lila me qytetarët e Gjakovës, Sami Morina një banor i kësaj rruge u ankua se jeton mes fekalesh.

Ai bëri të ditur se në Rrugën e Çabratit nuk jetohet.

“Tash nuk jetohet në atë mahallë se derdhen kanalizimet përmi tokë, këtë e ka pa shoku Shkumbin Kastrati, ka qenë prezent dhe e ka pa se në çfarë situate është,” tha Morina.

Duke iu përgjigjur Morinës, kryetarja Kusari-Lila tha se pasi fqinjët e kësaj pjese të vjetër të qytetit të Gjakovës nuk mundën të merren vesh për trasenë e kanalizimit, komuna do të ndërhyjë për ta rregulluar këtë problem pa i pyetur banorët.

“Ne tash sipas rekomandimeve të avokatit të popullit sipas gjitha gjasave do ta kemi të drejtën me hy në pronë, ose me shpall interes të veçantë tash në mbledhjen e radhës së asamblesë për hir të shëndetit publik dhe ma mos me marrë pëlqime të banorëve, por me ardhë me zgjidhjen të cilën ne ju tregojmë, nuk ju pyesim,” tha Mimoza Kusari-Lila.

Për problemin e kanalizimit në këtë pjesë të Gjakovës shkroi edhe KALLXO.com.

http://kallxo.com/banoret-e-cabratit-ne-gjakove-jetojne-mes-fekaleve/

Kusari-Lila në debatin e parë me gjakovarët për vitin 2016, për periudhën janar-qershor 2016 foli për përmirësimin e klimës së biznesit dhe shtimin e granteve për bizneset e vogla dhe të mesme.

Për këto çështje Kusari-Lila tha se komuna ka dhënë 70 mijë euro e donatorët gjermanë nga organizata “Help” 80 mijë.

KALLXO.com shkroi për përfitimin e granteve të bizneseve gjakovare.

http://kallxo.com/bizneset-te-kenaqura-grantet-nga-komuna/

Kusari-Lila foli edhe për vende të reja pune në Gjakovë.

“Është hapur në Gjakovë një linjë e re e prodhimit e kompanisë “Inova” me çrast janë shtu edhe 25 punëtorë ndërsa edhe një kompani tjetër ka pasur rritje të numrit të punëtorëve me 15 punëtorë,” tha Kusari-Lila.

Edhe për linjën e “Inovës” shkroi KALLXO.com.

http://kallxo.com/15-vende-te-reja-pune-ne-gjakove/

Qytetarët në takim kryesisht u ankuan për projekte të infrastrukturës të nisura në bashkëfinancim me komunën, e të cilat nuk janë përfunduar.

Kusari-Lila përmendi projektin e zgjerimit të rrjetit të ujësjellësit për disa fshatra të komunës së Gjakovës, që financohet nga qeveria zvicerane.