Dardan Molliqaj - PSD

Dardan Molliqaj i përgjigjet Albin Kurtit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, u është përgjigjur kritikave të Albin Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të Vetëvendosjes të bëra në adresë të PSD-së pas publikimit të bisedave të zyrtarëve të PSD-së për ta votuar buxhetin e prezantuar nga partitë në pushtet.

Në një koment në “Facebook”, Molliqaj i quan “grup të falltorëve” njerëzit e Vetëvendosjes.

Ai përmend me radhë deklaratat që VV i ka bërë në adresë të të larguarve nga Vetëvendosje dhe përsërit se PSD do të angazhohet vazhdimisht që PDK-në ta largojnë nga pushteti.

Po ashtu, Molliqaj thotë se PSD nuk do të futet në Qeveri.

Në mbledhjen e 35-të të Këshillit të Përgjitshëm të VV-së, Albin Kurti tha sot se kushdo që po del prej VV-së po përfundon në prehër të PDK-së.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje, fillimi i këtij viti ka qenë paksa i pazakontë, sepse ende nuk po e kuptonim se një grup aktivistësh të dikurshëm por tentonin ta  dëmtojnë Lëvizjen dhe t’ia shkaktojnë asaj një aksident. Sigurisht ata nuk ia dolën ta dëmtojnë Lëvizjen sepse shumica e simptizuesve tanë e analizuan mirë situatën”, tha ai.

Kurti shtoi se kësaj situate ia kuptuan të vërtetën vetëm dje.

“Kësaj tentative hileqare arritëm t’ia kuptojmë të vërtetën vetëm dje kur i pamë në media mesazhet e tyre. Kjo e vërtetë nuk na gëzon aspak, përkundrazi na hidhëron”, shtoi i pari i VV-së.

https://kallxo.com/kurti-per-psd-ne-kushdo-qe-po-del-prej-vv-se-po-perfundon-ne-prehrin-e-pdk-se/

Përplasja e re mes Vetëvendosjes dhe PSD-së erdhi pas publikimit në media të bisedave në Viber ndërmjet deputetëve dhe drejtuesit të PSD-së, Shpend Ahmeti, në njërën anë dhe zyrtarëve të partive në pushtet, për votimin e Projektligjit për buxhetin.

https://kallxo.com/dardan-molliqaj-reagon-pas-rrjedhjes-ne-publik-te-bisedave-me-bilall-sherifin-e-pal-lekajn/

Ky është postimi i sotëm i Dardan Molliqajt :

“Fillimisht, grupi i falltorëve të dobët thanë se ne u larguam sepse ishim spiun të Stanishiqit.

Pastaj thanë se ne u larguam sepse na kishin blerë Devollët.

Më vonë thanë se arsyeja e largimit tonë ishte ndikimi i ambasadeve ndërkombëtare.

Dikur thanë se ne u larguam për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi.

Pastaj “zbuluan” se ne u larguam për shkak se ishim të interesuar për tu futur në Qeveri.

Pak më vonë thanë se në fakt arsyeja e largimit tonë qenka falja e tokave Serbisë.

E sot e paskan “zbuluar” se kemi dalur për të përfunduar në prehër të PDK-së.

Kushedi se cfarë zbulime e parashikime do të dalin tash e tutje nga grupi i falltorëve të dobët. Por, ajo që dihet është që kësaj partie iu ka ndalur ora qysh kur ne jemi larguar nga aty. Vazhdimisht thonë se jemi pak aktivistë, të vegjël e të parëndësishëm, por vihen shumë në siklet nëse kalon vetëm një ditë pa shpifur për neve.

E ne fatkeqësisht do t’i zhgënjejmë. Përveq se nuk do të futemi në këtë Qeveri, do të angazhohemi vazhdimisht që PDK-në ta largojmë nga pushteti pas kaq shumë vitesh keqqeverisje. Ju vazhdoni të qitni fall, se pavarësisht që parashikimet i keni të dobëta, ndoshta me kalimin e kohës përmirësoheni në këtë fushë”.