Pamje nga takimi mes zv.kryeministrit Ramiz Kelmendi dhe ambasadorit francez, Didier Chabert - Foto: ZKM

Chabert: Francezët të Interesuar për Investime në Kosovë

Në një takim që zhvilluan sot, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi e njoftoi ambasadorin e Francës, Didier Chabert, me prioritetet dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, për fuqizimin e gjithanshëm të vendit.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri e falënderoi ambasadorin francez për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për Kosovën.

Po ashtu, në takim u diskutuan edhe angazhimet e veçanta të Qeverisë për tërheqjen e investitorëve të huaj, përfshirë edhe ata francezë, dhe vendorë.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, ambasadori Chabert ka shprehur përkushtimin e tij për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Ambasadori Chabert foli për projektin e ujërave të zeza, ku Kosova ka nënshkruar financimin e projektit, dhe po ashtu theksoi se investitorët francezë janë të interesuar për investime në Kosovë, si në ndërmarrje të vogla ashtu edhe në ato të mesme”, thekson komunikata.

Gjatë këtij takimi, ambasadori francez ka shprehur gatishmërinë për formimin e Klubit të Bizneseve Franko-Kosovare, ngjarje kjo që pritet të mbahet në Paris në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Interesimin e investitorëve francezë ambasadori e ka përmendur megjithëse një konsorcium nga ky vend dështoi në përmbushjen e obligimeve financiare për privatizimin e qendrës turistike të Brezovicës

http://kallxo.com/deshton-privatizimi-brezovices/