Caktohet Dita e Votimit të Demarkacionit
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot për ditën kur do të vazhdojë seanca rreth votimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, seanca për Demarkacionin do të mbahet më 20 mars, ditë e martë.
“Si koalicion qeveritar kemi konsensus te plotë sa i përket kësaj çështjeje”, tha Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Në të njëjtën kohë jemi në kontakte me të gjithë kolegët që ia duan të mirën e Kosovës. Jam shumë i sigurt se para ditës së pranverës do ta përfundojmë një çështje dramë”, tha Veseli.
Ndërsa, deputeti Avdullah Hoti pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se seanca e së martës do të fillojë në ora 16:00.
“Sapo e përfunduam mbledhjen. U vendos që seanca për Demarkacionin të mbahet të martën duke filluar nga ora 16:00. Në emër të LDK-së shpreh kënaqësinë që kësaj çështjeje po i vjen fundi”, theksoi ai.