Anulohet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e paralajmëruar për sot është anuluar pas shpalljes Ditë Zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.

Kjo mbledhje është anuluar me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Dje, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku.

Sipas njoftimit, zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Situatë e qetë sot në Zveçan