Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në mungesë të kuorumit

Ka dështuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit, të mërkurën më 21.02.2024.

Mimoza Kusari – Lila, shefe e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje tha se kanë munguar dy anëtarë të kryesisë, prandaj kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka caktuar një seancë me vazhdim të pikave të papërfunduara, që tha se janë rreth 30 pika.

Seanca pritet të mbahet më 22.02.2024.

“Pika për seancën e jashtëzakonshme për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovë shtyhet për një datë tjetër” – tha Kusari – Lila.

Blerta Deliu – Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës tha se ka degradim në punën e Kuvendit dhe zvarritje të agjendës legjislative.

“PDK javën e ardhme do të adresoj çështjen e emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës. Një çështje që tash e tetë muaj që presim është çështja e tatimit në pronë, kemi kërkuar pezullimin e çmimit të lartë, rritja 100% që ka ndodhur e ka afektuar qytetarët. Tatimi në pronë ka rënduar jetesën e qytetarëve. Nuk ka përgjigje nga qeveria tash e tetë muaj për të adresuar këtë çështje” – tha Deliu – Kodra.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se janë mbledhur 62 pika të rendit dhe se kjo agjendë legjislative tash ka 96 ligje, për të cilat shtoi se pak prej tyre janë ligje të reja.

Tahiri shtoi se po punojnë që javën e ardhshme të mbahet seanca e jashtëzakonshme për Ligjin për Sigurime Shëndetësore.

“Për vlerësimin tonë një ndër pikat që kërkojnë trajtim urgjent është sigurimi shëndetësor. Kjo kauzë shpresoj të gjejë mbështetjen e të gjithëve që këtë ligj ta sjellim dhe ta votojmë deri në qershor” – tha Tahiri.