Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Bushi: Nuk Luftova për ISIS-in

Emri Bushi, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, gjatë marrjes së tij në pyetje tha se qëllimi i tij i shkuarjes në Siri ishte ta ndihmonte popullatën civile siriane, dhe se atje luftoi vetëm në radhët e Ushtrisë së Lirë Siriane.

Ky ish -ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Hani i Elezit akuzohet se me qëllim që t’i bashkëngjitej grupit terrorist ISIS, më 29 maj 2013 nga Aeroporti i Prishtinës ka udhëtuar për në Stamboll e pastaj nga aty për në Gazientep e pastaj në KIlis, qytete këto në Turqi, e pastaj nga aty ka hyrë në territorin e Sirisë.

Sipas Prokurorisë, Emri Bushi, i njohur me nofkën “Ebu-Amar”, fillimisht ishte stërvitur me armë të ndryshme e pastaj kishte marrë pjesë edhe në frontet e luftës deri më 6 gusht 2013 kur ishte kthyer në Kosovë.

Bushi në seancën e sotme kur u mor në pyetje nga avokatja e tij, Labinota Qosaj-Ilazi dhe prokurori Ali Rexha, mohoi të ketë qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë organizate terroriste.

Mbrojtja gjatë shqyrtimit gjyqësor Gjykatës i dorëzoi edhe një CD me materiale, të cilat sipas Bushit përmbajnë dy video-materiale.

“Njëra është një video e një iftari në qytetin Haritan, në afërsi të qytetit të Alepos, ndërsa pjesa tjetër është një aksion në Rashidin, në rrethinën e Alepos, nga Ushtria e Lirë Siriane”, tha i akuzuari.

Emri Bushi përmes profilit të tij i ka dërguar monitoruesit të KALLXO.com edhe linqet e videove në të cilat ai pretendon se shihet duke luftuar krah Ushtrisë së Lirë Siriane:

https://www.youtube.com/watch?v=XuJHkiu8k8A

dhe tjetrin duke ngrënë iftar:

Po ashtu, Bushi mohoi se në kohën kur shkoi në Siri të ketë qenë i njoftuar për ndonjë ndalesë për t’u bashkuar në luftërat e huaja, ndërsa tha se madje e dinte se nuk kishte asnjë ndalesë të tillë.

Emri Bushi ishte i prerë duke thënë se asnjëherë nuk ishte pjesë e ndonjë organizate terroriste.

Dëshminë e tij në seancën e sotme e dha edhe i akuzuari tjetër, Fitim Dema nga Kaçaniku.

Ai tregoi se në Siri kishte shkuar me 70 euro në xhep dhe biletë njëdrejtimëshe por tha se Ushtria e Lirë Siriane do t’ia paguante biletën e kthimit.

Dema tregoi se në Siri kishte shkuar për arsye humanitare, për të ndihmuar civilët dhe sidomos fëmijët sirian.

“Fillimisht kam shkuar atje për të ndihmuar popullin e Sirisë, por kur shkova më doli tjetër gjë”, tha ai.

I akuzuari tregoi se ndonëse shkoi për të ndihmuar, përfundoi duke bërë ushtrime dhe pastaj edhe me armë në duar.

“Unë nuk kam dashur që të qëndroj më tutje, sepse filluan përçarjet mes grupeve dhe unë atje kisha shkuar për të ndihmuar popullsinë civile”, tha Dema.

Demaj tregoi se në Siri ka qëndruar afër një kampi ku ishte edhe një depo dhe shpërndanin ndihma humanitare.

Edhe Dema ishte kategorik se asnjëherë nuk kishte qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist, ndërsa tha se familja e tij sa herë komunikonte me ta i kërkonte të kthehej. Pas këtyre kërkesave ai edhe ishte kthyer në Kosovë më 7 shkurt 2014.

Seanca e radhës do të mbahet më 24 tetor.

http://kallxo.com/kater-te-akuzuarve-per-terrorizem-paraburgimi-u-kthehet-ne-arrest-shtepiak/

http://kallxo.com/kater-te-akuzuarve-per-terrorizem-paraburgimi-u-kthehet-ne-arrest-shtepiak/

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-e-te-akuzuarve-per-terrorizem-2/