Prezantimi i projektit "Borea" para investitorëve | Foto: KALLXO.com

‘Borea’-Shpresa e Pejës për Zhvillim

I pranishëm në konferencën për investitorët në lidhej me projektin e Komunës së Pejës për Qendrën Skitare ‘Borea’, ishte edhe Kryeministri Mustafa.

Mustafa tha se projekti do ta zhvillojë ekonomikisht Pejën dhe do të shfaqë edhe më qartë bukurinë e bjeshkëve të saj.

“Është një projekt që kapërcen kufijtë e Pejës dhe të regjionit, por që bëhet projekt i gjithë vendit dhe mbarëkombëtar, një projekt i cili mund të japë impulse të mëdha të zhvillimit ekonomik të Pejës dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ky, po ashtu, është një projekt me të cilin ne do të mburremi nesër për bukuritë natyrore që posedon Peja dhe Kosova dhe për ofertën turistike që do ta kenë gjithë ata që do t’i shfrytëzojnë këto bukuri natyrore,” tha Kryeministri Mustafa.

Projekti planifikohet të kushtojë 54 milionë euro.

Kryeministri u zotua se ky projekt do ta ketë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Ju garantoj se Qeveria e Republikës së Kosovës për çdo gjë do të mbetet përgjegjëse që të ju ndihmojë maksimalisht në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes ministrive përkatëse dhe përmes të gjitha organeve që përkrahin zhvillimin ekonomik,” tha ai.

Por sipas kryetarit të pejës Gazmend Muhaxheri, mjetet për Projektin “Borea” ende nuk janë gjetur.

Muhaxheri tha se realizimi i këtij projekti do bëhet në partneritet publiko-privat, ndërsa sipas tij do gjendet një investitor i cili do ketë leverdi të investojë.

“Besoj se këtë herë rrethanat politike dhe shoqërore, por edhe përkrahja e Kryeministrit dhe qeverisë është evidente dhe ky projekt vitin e ardhshëm do të jetë projekt që fillon të realizohet,” tha Muhaxheri.

Gjatë konferencës pati pyetje të ndryshme nga afaristët vendorë lidhur me proceduarat e tenderimit dhe sigurisë së investimeve në projektin që pritet të realizohet në dy faza.

Merita  të mëdha për inicimin e këtij projekti me perspektivë, Kryetari i Pejës i dha elitës së intelektualëve të Pejës gjatë viteve ‘70.

Muhaxheri u shpreh optimist se në dhjetorin e  vitit të ardhshëm qytetarët do mund të skijojnë në bjeshkën ku pritet të shtrihet “Borea”.