Deputetja e VV-së, Sranda Bogujevci

Bogujevci: Nuk ka dialog pa i kthyer Serbia trupat e personave të pagjetur

Saranda Bogujevci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje tha se në platformën për dialog të prezantuar në Kuvend nuk ka as edhe një fjalë të vetme në lidhje me krimet e luftës të kryera në Kosovë nga Serbia, as edhe një fjalë rreth personave të pagjetur as edhe një fjalë rreth grave të dhunuara gjatë luftës sikur mos të kishte ndodhur lufta asnjëherë.

“Nuk ka dialog me Serbinë pa i kthyer Serbia trupat e personave të pagjetur dhe pa dënimin e kriminelëve të luftës. Nuk e kuptoj se ju që pretendoni që keni luftuar gjatë luftës për mbrojtjen e popullit tani i mbani në robëri pa asnjë pikë përgjegjësie, pa ngritë zërin e tyre tani në liri. Nuk ka të ardhme në këtë vend pa ballafaqim me të kaluarën, nuk ka dialog me Serbinë as ndërfqinjësor, as teknik e as politik pa marrë përgjegjësinë Serbia për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Bogujevci.

Ajo theksoi se Serbia i trajton si heronj kriminelët e luftës dhe i promovon ata në pozita të larta e ata që e kanë vuajtur një pjesë të dënimit i liron, i akomodon dhe i kanë të gjitha privilegjet.

Bogujevci theksoi numrin e personave që kanë vdekur dhe që janë zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Vetëm nga të dhënat e fundit për të drejtën humanitare 13.377 mijë persona janë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga ky numër 1360 janë fëmijë, 139 prej këtyre janë fëmijë ende të zhdukur. Këta fëmijë janë të vrarë direkt nga ushtria serbe”, ka thënë Bogujevci.

Ajo tha para deputetëve “tregomni se qysh doni me ndërtu të ardhmen për të rinjtë përmes dialogut me Serbinë, a doni ta bëni këtë duke shkelur mbi gjakun e të gjithë këtyre fëmijëve që janë vrarë gjatë luftës”