Foto: MPJD

Hetimi parlamentar për Gani Jakupin “bllokohet” nga pozita

Opozita ka hedhur dyshime se jo vetëm në kontratën e Gani Jakupit të dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka shkelje ligjore. Shkelje pretendohet të ketë edhe në kontrata të tjera të ngjashme që nuk janë bërë publike deri më tani.

Në përpjekje të zbardhjes të së vërtetës rreth këtyre kontratave, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka propozuar që të themelohet një Komision Hetimor Parlamentar.

Por, themelimi i këtij komisioni ka dështuar në seancën e sotme të Kuvendit, për shkak se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votim, me kërkesën që kjo çështje të shtyhet për ndonjë seancë tjetër.

Deputeti i partisë në pushtet, LVV-së, Agon Batusha ka deklaruar që në parim nuk janë kundër që të themelohet ky komision, pasi që sipas tij është mirë të sqarohen gjërat që kërkohet sqarim për to.

“Gjithsesi e njëjta punë mund të bëhet nga Komisioni i rregullt, por siç duket e rëndësishme është lajmi dhe jo përmbajtja e tij”- tha Batusha në një bisedë me KALLXO.com.

Sipas tij, Komisioni hetimor i propozuar ka një fokus shumë specifik gjë që nuk lejon sqarimin e tërësishëm të situatave që janë paraqitur në shërbimin e jashtëm.

Batusha shtoi që do të insistojnë që të zgjerohet fusha e veprimit në mënyrë që deputetet të kenë mundësi të sqarojnë të gjithë rrjedhën e vendimeve dhe veprimeve të bëra nga MPJD-ja.

“Nëse nuk zgjerohet fushë-veprimtaria hetuese e komisionit, mendoj që do të përfundoj në mbledhje pa përmbajtje dhe me veprime populiste duke mos sjellë rezultatin përfundimtar dhe kredibil të hetimit parlamentar”- tha Batusha, duke shtuar që fundja nuk ka çka të fshihet nga MPJD dhe çdo mundësi transparence është e mirëseardhur.

Në anën tjetër, kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj thotë që e mirëpresin themelimin e këtij komisioni i cili mund të hetoj çështjen e shërbimeve të jashtme. Megjithatë, ajo ia ka frikën që nuk do votohet nga shumica.

“Kur ka dyshime çdoherë është mirë për raste të caktuara të formohet një komision hetimor që do ta hulumtoj edhe do ta hetoj e në këtë rast, jo vetëm për Gani Jakupin por edhe për raste të tjera që janë bërë në Ministri të Punëve të Jashtme”- tha Kadrijaj për KALLXO.com.

Kadriaj thotë që edhe propozimi për themelimin e këtij komisioni mund ta ketë fatin e komisionit për rezerva shtetërore.

Ndërkaq, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi shkurtazi tha që beson se duhet të themelohet Komisioni lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Po ne marrim pjesë në këtë komision edhe në të gjitha komisionet tjera hetimore”- tha Krasniqi për KALLXO.com.

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri kur propozoi themelimin e këtij Komisioni në fund të javës së parë të shkurtit, e arsyetoi duke thënë  që kanë informata që ka edhe persona të tjerë të cilëve i janë dhënë kontrata të ngjashme si e Gani Jakupit.

“Pasi kemi pasur fakte të mjaftueshme për degradimin e shërbimit diplomatik po ashtu mediat kanë zbuluar një sërë kontratash për njerëz të angazhuar me shuma marramendëse që s’ka ndodhur më herët si rasti i Gani Jakupit, paga e të cilit kalon çdo limit e standard në Kosovë”- tha Tahiri.

Nga Ministria kishin thënë për KALLXO.com që gjatë periudhës kohore 2022/2023 në Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës nuk ka pasur asnjë konsulentë të jashtëm të angazhuar për çështje kulturore dhe mediatike, përpos Gani Jakupit.

Ndërkaq, edhe pse KALLXO.com ka dërguar pyetje nëse ka kontrata tjera pas dhjetorit, pavarësisht këmbënguljes ende nuk ka marrë përgjigje.

Më 27 dhjetor KALLXO.com kishte arritur që përmes rrugës ligjore të marrë qasje në kontratën e Gani Jakupit, pas kërkesave të shumta për ta pasur këtë kontratë për të cilën e dërgoi rastin edhe në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Kontrata është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024.

Çmimi i plotë i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.

Sipas dokumentit, objekti i kësaj kontrate është ofrimi i shërbimeve të konsulencës, këshillimit dhe aktiviteteve të ngjashme me qëllim të krijimit, zhvillimit dhe përforcimit të imazhit kulturor e mediatik të Kosovës me fokus të veçantë në shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë, Luksemburg).

Përveç kësaj, obligim i kontratës është edhe ofrimi i shërbimeve që kryhen herë pas herë në vendet e rajonit për qëllim që të kenë ndikim te gazetarët dhe figurat mediatike, krijuesit e opinionit publik, menaxherët e institucioneve dhe fondacioneve kulturore, drejtuesit e festivaleve, drejtuesit e galerive të artit, sipas specifikimeve në aneksin e kësaj kontrate.

Përveç kësaj, Ambasada në Belgjikë e udhëhequr nga Agron Bajrami, i paguan konsulentit shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit dhe hotelit lidhur me ofrimin e shërbimeve të kontraktuara nga palët.

 

Jakupi merr përsipër dërgimin e faturave se bashku me një sqarim se për cilin aktivitet janë kryer shpenzime.