Abdixhiku: LDK-së nuk merr 4 vjet kohë për gjysmë autostradë as nuk i falë 54 milionë euro

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kritikave të ardhura nga pushteti dhe opozita ndaj tij duke thënë se “LDK nuk merr 4 vjet për gjysmë autostradë e as nuk u falë ‘Bechtel-ve’ 54 milion euro dhuratë”.

Këtë reagim, ai e bëri pas një deklarate të deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha. Sipas Berishës, “Abdixhiku po i sheh disa ëndrra me ‘rrugën e re’, por ai sondazhet i ka në tavolinë dhe e din se LDK-ja nuk janë në atë stadin ku ai po e paraqet”.

Kreu i LDK-së ka shkruar se sot qenkan marrë me të edhe nga pushteti edhe nga “fronti i bashkuar opozitar”, duke aluduar për koalicionin parazgjedhor AKK-Nisma.

“Shihni se kur është në pyetje LDK-ja, të dyja, se ç’na bëhen bashkë. Ndoshta po bëhen gati për bashkëpunim të gjatë. Ndoshta matjet e bëra, këto pa propagandë, po u japin frikë në palcë” – ka thënë Abdixhiku në reagimin e tij në Facebook.

5 ditë më parë, KALLXO.com ka raportuar për mospërfundimin e autostradës së Gjilanit. Kryeministri, Albin Kurti i kishte uruar qytetarët për autostradën Prishtinë-Gjilan në korrik të vitit 2023, por premtimi se punimet do të kryhen deri në fund të vitit të kaluar nuk u mbajt.