Foto: Kuvendi i Kosoves

Bogujevci shtroi iftar për përfaqësueset e BIK-ut, deputetet, ministret dhe zyrtare të adminitratës së Kuvendit

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, më 06.04.2024 shtroi iftar për përfaqësueset e Departamentit të Gruas të Bashkësisë Islame të Kosovës, të drejtuar nga koordinatorja Vaxhide Podvorica-Bunjaku, deputetet gra, ministre të Qeverisë së Kosovës dhe zyrtare të Administratës së Kuvendit.

Sipas një komunikate për media, në këtë mbrëmje, Bogujevci ka theksuar rolin e rëndësishëm të gruas jo vetëm në familje, por edhe në jetën institucionale.

Ajo ka shtuar se muaji i Ramazanit nuk e ka vetëm rëndësinë e agjërimit, por edhe të familjes dhe bashkimit.

“Rëndësia e këtij muaji është reflektim drejt solidaritetit, mirëqenies, qoftë fizike, qoftë mendore dhe në të njëjtën kohë kujdesit ndaj njëri-tjetrit”- është shprehur nënkryetarja Bogujevci.

Ajo u shpreh e lumtur që i është dhënë mundësia të jetë në mesin e grave, duke shpresuar që një organizim i tillë të bëhet tradicional.

Në komunikatë bëhet e ditur se, një fjalë rasti mbajti edhe Vaxhide Podvorica-Bunjaku, koordinatore në Departamentin e Gruas në BIK, e cila falënderoi nënkryetaren Bogujevci për ftesën e iftarit.

Gjatë fjalës së saj, thuhet se Podvorica-Bunjaku shpalosi rolin dhe punën e grave në Bashkësinë Islame të Kosovës.