Banorët e Kufirit, Kundër Raportit të Ekspertëve të Huaj

Përfaqësuesit e komuniteteve të  rajoneve për gjatë brezit kufitar me Malin e Zi janë ndarë të zhgënjyer me raportin e komisionit të ekspertëve të huaj për demarkacionin e kufirit të publikuar sot.

KALLXO.com ishte prezent në vendin ku ishin tubuar përfaqësuesit e komuniteteve të brezit kufitar me Malin e Zi për ta përcjellë drejtpërdrejt konferencën e tre anëtarëve ndërkombëtarë të komisionit të emëruar nga Presidentja në largim, Atifete Jahjaga.

Ky komision që shihej si shpresëdhënës për banorët e brezit kufitar me Malin e Zi, pas publikimit të raportit, zhgënjeu rugovasit, deçanasit dhe banorët e rajonit të Podgurit.

Ali Lajçi përfaqësues i komunitetit të Rugovës, menjëherë pas publikimit të raportit tha për KALLXO.com së ky komision është farsë dhe ka ‘qëllime politike’.

“Ky komision asgjë nuk ka lëvizë në kuptim të anës faktike. Ky komision është komision politik kryekëput. Nuk ka hyrë në brendësi të materies dhe ka ardhur për ta vërtetuar një shkarje për çështje të qeverisë dhe këtyre institucioneve”, tha Lajçi.

http://kallxo.com/demarkacioni-i-rregullt/

Sipas Lajçit, komisioni i ekspertëve të huaj ka marrë për bazë vetëm dy gjëra për të dalë me vlerësim përfundimtar që, siç tha ai, është i papranueshëm.

Kurse përfaqësuesit e rajonit të Deçanit dhe Podgurit thanë së as ky komision nuk ka qenë transparent kur janë takuar me banorët. Ata thanë se nuk do pranojnë asnjë vijë tjetër kufitare që i dëmton pronat e tyre.

Madje ata thonë se do t’i radikalizojnë veprimet e tyre.

“Kemi pasur kontakt me ketë komision, ju kemi ofruar dokumentet, asnjë lloj dokumenti nuk na kanë kërkuar. Ju kemi ofruar veç i kanë shikuar dhe nuk e kanë marrë asnjë dokument prej neve”, u shpreh përfaqësuesi i banorëve të Deçanit, Rasim Mulaj për KALLXO.com.

“Vazhdojmë me protesta, vazhdojmë me të gjitha mënyrat demokratike. Nëse paraqitet nevoja edhe në mënyrë radikale. Nuk i japim këto troje, nuk i japim se janë të Kosovës”, tha ai.

http://kallxo.com/qeveria-e-kenaqur-raportin-per-demarkacionin/