Agim Bahtiri

Bahtiri nuk Pranon Humbjen e Votave në Mitrovicë

Kreu i Komunës së Mitrovicës  Agim Bahtiri është nervozuar kur është pyetur nga KALLXO.com mbi rezultatet preliminare të KQZ-së për këtë komunë.

I pyetur se cili është komenti i tij për rezultatet e koalicionit  LDK-AKR-Alternativa që doli i treti në Mitrovicë, Agim Bahtiri sugjeroi që për rezultatet të pyetet KQZ-ja.

“KQZ-në pyetni për rezultate, jo mua”, tha Bahtiri.

Ndërsa kur iu tregua që rezultatet preliminare të KQZ-së Koalicionin LDK-AKR-Alternativa e nxjerrin si të tretin për nga votat në Mitrovicë,  ndërsa subjektet që e përbëjnë kanë humbje votash, kandidati për deputet i këtij koalicioni Bahtiri nuk e pranoi këtë.

“Ti mendon qashtu, ti mendon”, tha Bahtiri dhe e mbylli telefonin.

Sipas KQZ-së Koalicioni LDK-AKR-Alternativa fitoi 6 mijë e 180 vota në Mitrovicë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në vitin 2014 LDK-ja e AKR-ja pa Alternativën që atëherë nuk ishte subjekt politik fituan në Mitrovicë gjithsej 8 mijë e 665 vota, edhe pse në atë kohë garuan të ndara.

Në Mitrovicë më së shumti vota ftoi Koalicioni PDK-AAK-Nisma-gjithsej 9 mijë e 750. Shumë afër PAN-it u rendit Vetëvendosja me 9 mijë e 600 vota.

Bahtiri ishte pyetur në muajin maj nga KALLXO.com nëse pas zgjedhjeve do të garojë për mandatin e dytë të kryetarit në Mitrovicë, ose do të hyjë në Kuvend nëse i merr votat për deputet.

Bahtiri as atëherë nuk ishte i qartë se çfarë do të veprojë.

“Do ta shiqojmë,” ishte përgjigjur shkurt Bahtiri.

http://kallxo.com/ahmeti-e-kusari-lila-duan-drejtimin-e-komunave/