Arrestimi i Faruk Mujkës dhe ish-drejtorit të Mitrovicës, reagon Agim Bahtiri

Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka reaguar një ditë pas arrestimit të Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukaj, të dy këta pjesë e ish-qeverisjes së tij.

Faruk Mujka, ish-nënkryetar i Komunës dhe Hysen Muzliukaj ish-drejtor i Kadastrit u arrestuan më 14 korrik pas një aksioni të Prokurorisë, si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com.

Gjykata në Prishtinë sot njoftoi se të dy do të mbrohen në liri.

Ish-kryetari Agim Bahtiri reagoi duke thënë beson në pafajësinë e Mujkës dhe Muzliukajt në këtë proces, duke iu gëzuar edhe lajmit për lirimin e tyre në procedurë të rregullt.

Bahtiri ka dhënë pretendimet e tij se për çka Mujka dhe Muzliukajt u arrestuan të premten.

“Sa për informimin tuaj, e gjithë çështja kontestuese sipas policisë dhe prokurorisë, qendron te procedurat e shkëmbimit të një prone komunale me një pronë private në rrugën ‘Ali Zeneli’, rrugë në të cilën janë shkëmbyer shumë prona dhe po vazhdojnë të shkëmbehen, pasi që hapja e saj është me prioritet për qytetin”

“Në gjithë këtë proces ish drejtori dhe ish nënkryetari vetëm kanë bërë kërkesën dhe propozimin në Kuvend Komunal, përderisa vendimin e ka marrë Kuvendin Komunal me votim dhe pastaj ky proces është vlerësuar plotësisht i rregullt nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Financave, dy instancat e fundit për të kontrolluar dhe aprovuar ligjshmërinë dhe vlerësimin e pronave” – ka shkruar Bahtiri.

Prokuroria Speciale njoftoi më 14 korrik se dy persona janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të korrupsionit, arrestim ky i cili erdhi disa muaj pas publikimit të një hulumtimi nga Kallxo Përnime.

Mujka e Muzliukaj janë arrestuar pas një operacioni anti-korrupsion dhe bastisjes që kryen Forcat Speciale Policore.

Madje të njëjtit kryen edhe bastisje në dy lokacione pronë e dy të dyshuarve tashmë, Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukës. Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale në njërin lokacion janë gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro.

Siç njofton Prokuroria, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Më 18 prill të vitit 2022, në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua hulumtimi se si komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri.

Biblioteka e qytetit me vendimin e bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në një qendër sportive në Mitrovicë.

Hapësira prej 139 metra katrorë e katit përdhesë e ndërtesës së “Bankosit” në sheshin e Mitrovicës ka kaluar nga prona shtetëror në pronë private.

KallxoPernime ka gjetur se ekzekutivi i komunës së Mitrovicës nëpërmjet drejtorisë së kadastrës kishte kërkuar nga Kuvendin Komunal në Mitrovicës votimin e këtij vendimi e i cili ishte votuar me vota unanime.

Në vitin 2017 ish kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ju kishte drejtuar kuvendit komunal me kërkesë për tërheqjen e disa pronave nga procesi i privatizimit dhe kthimin e tyre në pronësi të Komunës me qëllimin e vetëm që këto prona të shërbenin për interesin publik të qytetit.