Agim Bahtiri - Foto: Facebook

Agim Bahtiri raporton në Polici një rast të kanosjes, flet i dyshuari

Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka raportuar sot në Polici një rast të kanosjes.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar Bahtirin, por ai ka thënë se nuk dëshiron të flasë për këtë çështje dhe se rastin e ka lënë në duart e Policisë.

Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti, e ka konfirmuar ndërkaq raportimin e kanosjes nga ish-kreu i Komunës.

“Është iniciuar si rast i kanosjes. Rasti është raportuar sot gjatë ditës. Rasti është duke u hetuar. Hetimet kanë filluar me elemente të kanosjes” – ka thënë Zahiti për KALLXO.com.

Lidhur me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Saim Xhafën, i cili është i dyshuari për kanosjen e raportuar nga Bahtiri.

Xhafa ka thënë se nuk është kontaktuar nga Policia dhe ka konsideruar se mesazhet të cilat ia ka dërguar Bahtirit nuk kanë qenë kërcënime.

“Po ka pasur (mesazhe), por s’janë kërcënime…” – ka thënë ai.

Saim Xhafa tha se nëse e kontaktojnë Policia apo cilido institucion, ai është i gatshëm t’i përgjigjet pa hezitim.

Tutje, Xhafa ka thënë se ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës e ka rrënuar një lokal të cilin ai e ka pasur me qira.

“Unë kam pasur një pronë aty, ma ka rrëzuar në karantinë, ditë e diel. Asnjë lugë të çajit nuk e kam hequr, kanë ardhur dhe ma kanë rrëzuar me polici veç për interesa të veta” – ka thënë Saim Xhafa, duke shtuar se lokalin e ka pasur me qira që 20 vjet.

Xhafa pretendon se lokali i është rrënuar përderisa padia që e ka bërë ai ka qenë duke u trajtuar në Gjykatë.