Gjykimi i Fatmir Limajt | Foto: KALLXO.com

Avokati i Grabovcit Heq Dorë nga Këshillimi i Ministres

Avokati Florent Latifaj nuk do të jetë më këshilltar i ministres së drejtësisë Dhurata Hoxha.

Latifaj që është avokat i Adem Grabovcit, por edhe Nexhat Krasniqit në gjykimin e ish-zyrtarëve të ish-Ministrisë së Transportit, pardje ishte pyetur nga kryetarja e trupit gjykues Maria Tuma në këtë proces gjyqësor se a është këshilltar i jashtëm i Ministres së Drejtësisë.

Latifaj e kishte pranuar se është këshilltar i ministres, ndërsa kishte thënë se mund të heqë dorë nga kjo pozitë, nëse ajo e pengon të jetë avokat i Nexhat Krasniqit në procesin ku i akuzuar është edhe Fatmir Limaj.

Në të njëjtën seancë duke e konsideruar edhe Ministrinë e Drejtësisë palë të dëmtuar të procesit kundër Limajt dhe të tjerëve, prokurori Charles Hardaway tha se duke qenë këshilltar i ministres, Latifaj ka kryer detyra për palën e dëmtuar në të njëjtën kohë kur mbronte të akuzuarin Krasniqi.

Por avokati Latifaj mohoi se Ministria e Drejtësisë është palë e dëmtuar në procesin kundër Limajt.

Në seancën e sotme kryetarja e trupit gjykues Maria Tuma tha se ka pranuar një letër nga ministrja e drejtësisë me të cilën gjykata njoftohet se ministrja Hoxha ka marrë njoftimin e Florent Latifajt se ai më nuk do të jetë këshilltar i jashtëm i saj.

Me këtë letër të pranuar gjyqtarja Tuma e konsideroi të mbyllur çështjen që vetë ngriti pardje.

Të martën kur Tuma i shtroi pyetjen Latifajt se a është këshilltar i jashtëm i Ministrisë së Drejtësisë, prokurori Hardaway kërkoi përjashtimin e këtij avokati nga mbrojtja e Nexhat Krasniqit me arsyetimin për konflikt interesi, pasi Latifaj është edhe avokat i Adem Grabovcit, deputetit të PDK-së që po hetohet për publikimin e bisedave të përgjuara telefonike nga Insajderi.

Adem Grabovci ishte zëvendësministër në ish-Ministrinë e Transportit, ndërsa Nexhat Krasniqi zyrtar i saj.

Grabovci do të jetë dëshmitar në procesin kundër Limajt dhe të tjerëve, ndërsa Latifaj dje propozoi që të mos jetë në seancën ku do të dëshmojë Grabovci, por një propozim të tillë e kundërshtoi prokurori.

Gjykata pritet të vendosë sot në lidhje me kërkesën e prokurorit Hardaway për përjashtimin e Latifajt.

http://kallxo.com/kerkohet-perjashtimi-i-avokatit-te-grabovcit/

Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar në kohën sa drejtonte ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Në procesin e njëjtë me Limajn për të njëjtat akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës po ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.