Gjërat e sekuestruara në një lokal të lojërave të fatit - Foto: ATK

ATK Sekuestron mbi 44 Mijë Euro

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bastisur dje në Prishtinë një subjekt të lojërave të fatit, i cili dyshohej për shmangie tatimore.

Në këtë operacion janë përfshirë Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, Departamenti i Lojërave të Fatit, në asistim të  Policisë së Kosovës.

Sipas një komunikate të ATK-së, gjatë kontrollimit të lokacionit janë gjetur para të gatshme në vlerë prej 44,370.85 euro, para të cilat nuk janë përputhur me deklarimet që janë bërë për ATK-në.

“Pra, deklarimet kanë qenë shumë më të vogla sesa paraja e gjetur në lokacion”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

Sipas njoftimit, Administrata Tatimore ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me prokurorin kujdestar dhe të gjitha veprimet ligjore janë ndërmarre sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar.

Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar kartëmonedha në vlerë 38,230.00 euro,  monedha metalike në vlerë 6,140.85 euro, dy laptopë, fletore të punës (me të dhëna të pazareve ditore), etj.

Shuma e  parave mbetet e sekuestruar deri në verifikimin se a ka pasur shmangie nga tatimi.