Rreth 20 mijë euro mallra të kontrabanduara sekuestrohen në rrugë malore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Dogana e Kosovës ka njoftuar se është parandaluar kontrabandimi i mallrave në vlerë mbi 20 mijë euro.

Më 11 dhe 12 janar 2024 në Viti u realizua një operacion në rrugët malore të paautorizua nga Maqedonia e Veriut në Kosovë ku u targetuan automjete transportuese të dyshimta.

Në automjetin e parë u kapën 2 mijë e 80 artikuj me mallra të kontrabanduara tekstil-veshmbathje me vlerë rreth 9 mijë euro.

Këto mallra sipas Doganës shkelnin të drejtën e pronësisë intelektuale dhe janë marka të falsifikuara.

Në rastin tjetër u kapën mallra tekstili në vlerë prej 12 mijë eurove të cilat janë sekuestruar.

Ndaj palëve janë nisur procedurat kundërvajtëse sipas Doganës.