Asidenti tragjik në Gjilan: Dosja e Prokurorisë sqaron shkaktarët pse kamioni humbi drejtimin

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar masën e paraburgimit për M. A., pasi që i njëjti dyshohet se gjatë ditës së djeshme ka shkaktuar aksidentin në qendër të Gjilanit, ku një person ka vdekur ndërsa 27 të tjerë janë lënduar.

Në kërkesën të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se M. A., gjatë ditës së djeshme, rreth orës 14:05, në rrugën ,”Idriz Seferi” në Gjilan, duke u kyçur në rrugën kryesore me kamionin në të cilin ishte duke vozitur, e humbë kontrollin mbi drejtimin e automjetit ndërsa dyshohet se i ka dështuar sistemi i frenimit.

Gjithmonë sipas kërkesës së Prokurorisë për masën e caktimit të paraburgimit, të dyshuarit i rritet shpejtësia pas dyshimit të dështimit të sistemit të frenimit dhe fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe me të arritur afër hyrjes së Stacionit të Autobusëve, fillimisht e godet në anën e majtë një “Audi” e cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, e pastaj vazhdon rrugën dhe me të arritur afër daljes së Stacionit të Autobusëve e godet mbrapa automjetin “Reno Espaso”, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, automjet të cilin e shtynë deri te vendkalimi për këmbësorë në trotuar, në anën e djathtë në raport me drejtimin e lëvizjes afër furrës “Çoçaj” dhe me këtë rast i godet dy këmbësorë, njëri nga ta ishte edhe Qerim Çoçaj, i cili më pas ka vdekur nga lëndimet e marra.

Tutje në kërkesën për paraburgim theksohet se pasi i dyshuari kishte goditur dy këmbësorët, në po të njëjtin drejtim dhe e të njëjtën shpejtësi, godet dy taksi, e pastaj me të arritur te udhëkryqi me rrugën e Prishtinës e godet mbrapa një automjet “Mercedes”, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, pastaj kamioni kalon në anën e majtë të rrugës, duke dalë edhe në trotuar dhe me pjesën e përparme e godet pemën dhe kthehet përsëri në rrugë dhe e godet një automjet “Golf” dhe me të arritur te rreth-rrotullimi i godet dy automjete një “Golf” dhe një “Audi A3”, të cilët ishin duke lëvizur nga ana e kundërt.

Kamioni nuk kishte arritur të ndalonte edhe pse ishte goditur me shumë vetura.

Drejtuesi i kamionit pastaj vazhdon duke e goditur mbrapa automjetin “Land Rover” dhe automjetin “Passat”, të cilët ishin duke lëvizur në të njëjtin drejtim, si dhe traktorin “Rakovica” me rimorkio, i cili ishte duke u kyçur në rreth-rrotullim nga rruga “Mulla Idrizi”.

Të gjitha këto vetura të përmendura me lart nuk kanë arritur që ta ndalin shpejtësinë e kamionit me të cilin i dyshuari po bartte ujë.

Kamioni përfundon në trotuar përballë Hotel “Kristal”, duke e goditur një këmbësor tjetër.

Në të gjithë aksident sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person ka vdekur, tre persona të tjerë janë lënduar rëndë, ndërsa 23 persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria në kërkesën e saj për caktimin e paraburgimit ndaj drejtuesit të kamionit ka thënë se viktima Qerim Çoçaj kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Prokuroria ka theksuar se i dyshuari M. A. dyshohet se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Bashkëngjitur me kërkesën Prokuroria ka treguar se dyshimet e bazuara për M. A. i mbështesin në të gjitha provat materiale, të cilat i janë bashkangjitur kallëzimit penal siç janë raporti i shpejtë i aksidentit, skica nga vendi i ngjarjes,  raporti i aksidentit, deklarata e dëshmitarëve, deklarata e të pandehurit, fotografi nga vendi i ngjarjes, raporti  mbi automjetet e tërhequra, si dhe shkresa të tjera të bashkangjitura në dosjen e lëndës.

 

 

 

 

https://kallxo.com/aksident-i-rende-ne-gjilan-disa-te-lenduar/

 

https://kallxo.com/nje-i-vdekur-nga-aksidenti-ne-gjilan-prokuroria-jep-detaje/

 

https://kallxo.com/dy-te-ndaluar-per-aksidentin-ne-gjilan/

 

https://kallxo.com/prokuroria-jep-detaje-te-tjera-per-aksidentin-ne-gjilan/

.