Tenderi i rrugëve në Suharekë, prokuroria kërkon paraburgimin për pronarin e kompanisë

Prokuroria në Prizren ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin e tretë, Bujar Seferi i cili u arrestua në lidhje me keqpërdorimet në tenderin për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës vitin e kaluar.

I dyshuari i tretë është pronari i kompanisë “Seferi”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, prokurori i çështjes, Petrit Kryeziu. Sipas Prokurorisë, Seferi po dyshohet për veprën keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik.

Më 22 gusht, për të njëjtin tender ishte arrestuar drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani dhe zyrtarin komunal, Berat Kabashi.

Më 24 gusht, Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar një muaj paraburgim për dy zyrtarët komunalë.

Ata dyshohen se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në një tender për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit të kaluar.

Të dyshuarit, kanë qenë të angazhuar në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kontratës në fjalë ku vlera sipas Prokurorisë ka qenë mbi 74 mijë euro.

Në dosje tutje thuhet se të pandehurit kanë përpiluar procesverbaleve, dhe situacione fiktive/rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në terren kontrata nuk është realizuar.

Sipas aktvendimit për fillimin e hetimieve, Shabani dhe Kabashi me dashje nuk kanë kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që me vendimin 01-Nr.016-29186 të datës 18.05.2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës me numër prokurimi 624-22-1007-5-2-1 dhe 624-22-016-521me titullin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia-me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”, mirëpo nga informatat e siguruara dhe verifikimit të të njëjtave është konstatuar se të hollat janë paguar për Operatorin Ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihet në kontratë.

“Të hollat janë paguar për operatorin ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar ashtu siç parashihet në kontratë, të njëjtit dyshohen se me veprimet e tyre i kanë mundësuar dobi pasurore personit tjetër -operatorit ekonomik dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës në vlerë prej 74,214,74 euro”- thuhet në aktvendimin e Prokurorisë së Prizrenit.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.