Arrestimi i mjekëve në Gjilan, Prokuroria do të kërkojë paraburgim

Një anesteziolog dhe një kirurg në Gjilan, janë arrestuar nga policia nën dyshimin se kanë marrë qindra euro ryshfet për të kryer një ndërhyrje.

Lidhur me rastin Prokuroria Themelore e Gjilanit ka konfirmuar për KALLXO.com se brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa për paraburgim.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar dy persona në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj tyre do të kërkojë masën e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan”- ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë në Gjilan, Liridona Xheladini.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini ka folur për KALLXO.com lidhur me arrestimin e kirurgut dhe anesteziologut të këtij spitali, nën dyshimin se kanë marrë ryshfet.

Arrestimi i tyre, siç tha drejtori ka ndodhur mbrëmë, përderisa ata kanë qenë në orar të punës.

Informacionin për arrestimin e tyre, Emini tha se e ka marrë mbrëmë rreth orës 20:00, fillimisht nga motra e pacientes, e cila e ka bërë denoncimin, e më pas edhe nga policia.

Si u kapën dy mjekët e dyshuar për ryshfet, flet drejtori i Spitalit të Gjilanit