Arkiv - Asamblisti i AAK-s[, Ilir Baldedaj, Foto: Kallxo.com

Asamblisti i AAK-së: Për 17 Shkurt, Prizreni ngjante me komunat në Veri

Ilir Baldedaj, asamblist nga radhët e AAK-së, në fillim të mbledhjes së Kuvendit Komunal të Prizrenit, akuzoi kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka, dhe drejtorët e kabinetin e tij, se nuk organizuan manifestime në përvjetorin e 11-të të pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse Haskuka nuk ishte prezent në mbledhjen e 2-të të Kuvendit Komunal për vitin 2019, asamblisti Baldedaj kërkoi sqarime nga kryetari Haskuka, përse me 17 Shkurt nuk kishte pasur manifestime për përvjetorin e pavarësisë në Prizren.

“Kryesues, kjo Komunë i ka ngjarë komunave të Veriut. Asnjëherë nuk ka ndodhur që përvjetori i pavarësisë të manifestohet kaq zbehtë”, i tha Baldedaj kryesuesit të Kuvendit Artan Abrashi.

Baldedaj drejtoi akuza edhe ndaj Vetëvendosjes, e cila, sipas tij, nuk e njeh shtetin e Kosovës.

“Ne e dimë që ju Vetëvendosja nuk e njihni këtë shtet, këto simbole e këtë himn, as këtë flamur. Respektojeni shtetin e Kosovës”, tha ai.

Por, asamblisti i Vetëvendosjes, Karanfil Haxhillari, e kundërshtoi kolegun Baldedaj, duke iu kundërpërgjigjur se Vetëvendosja nuk i ka shpenzuar mbi 700 mijë euro për përvjetor të pavarësisë e të mos veprojë asgjë.

“Nuk desha me marrë fjalën, por akuzat e Ilirit më detyruan të flas. Më shumë se për me njoftë shtetin duhet me deshtë, nëse mendoni se shteti duhet duke e vjedhur, gabim e keni. Pozitat nuk i kemi marrë por na ka dhënë qytetari me votë, e ata e vlerësojnë se a e njohim apo jo shtetin”, tha asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ta njohësh shtetin duke falimentuar ndërmarrje e duke ndërtuar autostrada me çmime trefish më të shtrenjta se ato të rajonit, se kush sa e njeh shtetin qytetarët e treguan në zgjedhjet e fundit lokale e parlamentare”, shtoi Haxhillari.

Ai akuzoi edhe pushtetin qendror për shpenzime të larta.

“Festa e pavarësisë në Prizren u organizua nga ana e Drejtorisë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ku nuk ka munguar asgjë, ka pasur aktiviteti kulturore e rinore, por veç tallava s’ka pasur e nuk do të ketë asnjëherë. E Komuna e Prizrenit nuk i ka harxhuar 700 mijë euro e pa ba asgjë sikurse Qeveria e Kosovës”, shtoi asamblisti i VV-së.

E Drejtori Ehat Oreshka kur mori fjalën i dha sqarimet e tij për manifestimin e pavarësisë në Prizren.

Ai sqaroi për asamblistët se “për pavarësi kemi pasur 2 mijë persona të involvuar, rreth 400 nxënës kanë parakaluar për nder dhe për të simbolizuar formimin e Ushtrisë së Kosovës, e shumë aktivitete tjera. Kemi pasur orë letrare e ekspozitë të pikturave nga artistët e Prizrenit. E në fund shfaqja teatrale për të cilën ka pasur shumë interes nga ana e qytetarëve për ta ndjekur”, tha ai.

Drejtori Oreshka tha se për të gjitha këto aktivitete do të duhej të kishte qenë në dijeni asamblisti Baldedaj.

“Për të vlerësuar këto aktivitete është deshtë me qenë prezent aty, e ju që parashtruat pyetje e drejtuat kritika po e shoh që nuk paskeni qenë prezent në asnjërin aktivitet e nuk e paskët vizituar asnjë manifestim”, theksoi ai.

https://kallxo.com/https-kallxo-com-punesimet-partiake-ne-prizren-perplasin-drejtorin-e-arsimit-me-asamblistet/?fbclid=IwAR0aRJ-v4r0TVgnAjxiPOCpjk2BULxEpSNt6g5t2ic3wgdNFOfgjlW0rO9Y

www.kallxo.com