Kuvendi Komunal i Prizrenit (14.02.2023)

Komuna e Prizrenit ndan nga 10 mijë euro për Turqinë dhe Komunën e Skenderajt

Pozitë e opozitë në Prizren u mblodhën bashkë për të vendosur ndarjen e mjeteve buxhetore për Republikën e Turqisë dhe Komunën e Skenderajt.

Skenderaj javë më parë u prek nga vërshimet, kurse si pasojë e një tërmeti prej 7.8 shkallë të rihterit në Turqi dhe Siri mbetën të vdekur më shumë se 35 mijë persona.

Të martën në mbledhjen e Asamblesë Komunale unanimisht u votua që Skenderajt dhe Turqisë t’u jepen nga 10 mijë euro.

I pari i Prizrenit, Shaqir Totaj deklaroi se mjetet do të merren nga subvencionet.

“Dëmet janë të mëdha, jetët e njerëzve nuk mund të kompensohen por ne përmes kësaj shume simbolike dëshirojmë të shprehim dhimbjen tonë dhe keqardhjen lidhur me tragjedinë e ndodhur. E njëjta gjë vlen edhe për Skenderaj edhe pse dëmet janë më të vogla”- deklaroi Totaj.

Edhe përfaqësuesit e partive të tjera politike mbështetën nismën për ndarjen e 10 mijë euro për Turqinë dhe për Komunën e Skenderajt.