Asambleisti në Ferizaj kërkon mbylljen e lokaleve të dyshimta afër shkollave

Asambleisti nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Amir Rexhepi ka kërkuar që të mbyllen lokalet në afërsi të shkollave të cilat sipas tij, “ushtrojnë veprimtari të dyshimta”.

Përmes rrjetit social Facebook, Rexhepi ka thënë se sot gjatë seancës së Kuvendit Komunal ka kërkuar nga Inspektorati Komunal mbylljen e lokaleve të cilat gjenden afër shkollave, Tefik Çanga, Çesk Zadeja dhe Pjetër Bogdani.

“Në këto lokale zhvillohen veprimtari të dyshimta, këto lokale inspektorati i mbylli muaj më parë, mirëpo të njëjtat janë hapur përsëri. Shpresoj që inspektorati të reagoj sa më parë!”, ka shkruar Rexhepi.